Kryesore Berisha denoncon: Shefi i SHISH nuk po lejohet të vazhdojë detyrën pas...

Berisha denoncon: Shefi i SHISH nuk po lejohet të vazhdojë detyrën pas kthimit nga SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot se shefit të Shërbimit Informativ, Helidon Bendo, nuk lejohet të ushtrojë detyrën dhe se ky akt është i turpshëm që dëshmon se nuk ka shtet, por vetëm një njeri që nuk njeh ligjin.

“Informoj shqiptarët se në dhunim flagrant të Kushtetutës së vendit, në një akt mafioz të pashembullt, shefit të shërbimit informativ, të emëruar në përputhje me Kushtetutën e vendit nga Presidenti i Republikës, të dërguar për shkollim në SHBA, pas kthimit nga shkollimi në kundërshtim me ligjin, i mbyllen dyert e shërbimit dhe nuk i lejohet të marrë detyrën, pa asnjë akt, pa asnjë vendim, të atij që supozohet të jetë kryetar shteti, dhe që mbron firmën e institucionit. Shefi i shërbimit informativ kombëtar, propozohet nga kryeministri, por emërohet nga presidenti, dhe po me ligj, ai u raporton të dyve. Ky është një akt i turpshëm, që dëshmon se këtu nuk ka shtet, por ka vetëm një njeri që nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe parim dhe ky është Edi Rama”, tha Berisha në një konferencë me gazetarët këtë të premte,

Më tej, Berisha tha se nëse Rama e konsideron Helidon Bendon spiun të amerikanëve, francezëve apo gjermanëve, ai duhet të bëjë transparencë. “Ju mund të merrni deklaratat e mia për Bendon, asnjë konsideratë të veçantë nuk kam shprehur, përkundrazi kam shprehur të gjithë rezervat e mia. Por a mund të pranohet një akt banditesk, një akt banditesk. Nëse Edi Rama e konsideron atë spiun të amerikanëve, francezëve apo gjermanëve, ai duhet të bëjë transparencë para shqiptarëve, sepse për aq kohë sa Helidon Bendo ka kryer atë detyrë, ka drejtuar një institucion kushtetues. Është një emërtesë kushtetuese. Emërohet nga kreu i shtetit dhe nuk ka askush të drejtë, pa pëlqimin e kreut të shtetit, me shkrim, as ta pezullojë, as ta shkarkojë. Këto janë akte banditeske, akte të turpshme. Dënoj me ashpërsinë më të madhe”, tha kreu demokrat.