Edhe pse në betejë të ashpër kundër njëri-tjetrit, Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë “bërë bashkë” kundër takimit të Edi Ramës me emigrantët në Greqi.
Kryetari i Partisë Demokratike, me anë të një postimi në rrjetet sociale e quajti takimin “Nacionalizëm shterpë”.
“Kthim të mbarë administratës shtetërore të shpërngulur në Athinë për këtë ekskursion të shtrenjtë të kryeministrit që shpopulloi vendin dhe pengon votën e atyre që degdisi rrugëve të botës për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit. Nacionalizmi shterpë është gjethja e fikut pas të cilës fsheh premtimet e pambajtura ndaj bashkëqytetarëve tanë në emigrim, të cilëve u kemi borxh të drejtën e votës një orë e më parë”, shkruan Basha.
Për ish-kryeministri Sali Berisha, mesazhi i Ramës në Greqi për emigrantët ishte i qartë: “Ju dua shumë, por jo në Shqipëri”.
“Të dashur miq, emigracioni shqiptar në Greqi neveriti takimin e sotëm të Ramës në Athinë. Nga 1 milion shqiptarë në vendin fqinj, asnjë emigrant nuk pranoi të përshëndesë në takimin e Ramës për interesat dhe menderen e tij. Ky refuzim total do regjistrohet në muret e historisë si një refuzim epik nga shqiptarët e vërtetë që kanë emigruar në Greqi. Nuk t’i nxjerr zemra fjalët për atë që me të gjithë qënien e tij ju thotë: ju dua shumë, por jo në Shqipëri. Nderim emigrantëve dhe diasporës shqiptare në Greqi dhe kudo që ndodhet”, shkruan Berisha.
Nga ana tjetër, deputetja demokrate, Jorida Tabakur tha se emigrantët shqiptarë meritojnë më shumë se sa ai takim ku vëmendja nuk ishte tek ato, por tek Edi Rama.
“Shqipëria nuk mund t’i falë vetes shndërrimin e diasporës në një mizanskenë teatri për të rritur pikët e atyre që diasporën e kanë trajtuar si spektatore e një spektakli për të glorifikuar veten. Dhe kjo pasi në 3 mandate nuk ka siguruar as të drejtën bazë të votës së diasporës dhe përfaqësimit politik të saj. Në 12 vite qeverisje kemi parë lloj-lloj sajesash ministeriale por kurrë një ministri për diasporën. Arsyeja? Shpërfillja! Pa folur më tej për angazhime reale në draftimin dhe angazhimin në abetare dhe shkollim për fëmijët e shqiptarëve. Bashkëkombasit tanë meritojnë më shumë se sa një plate ku vëmendja nuk janë ato por kryeministri. Meritojnë një platformë ku ata janë në tavolinën e bashkëbisedimit dhe jo në karrigen e duartrokitësit.
Diaspora ka nevojë të diskutojë si mund të investojnë në Shqipëri, si vitet e tyre të sigurimit nuk kanë humbur po do marrin një pension të denjë si dhe çfarë roli ka dhe do ketë ajo në shtetin tonë, pasi kontributi diasporës historikisht ka qenë i çmuar! Aq sa duhet diskutuar realisht se si mund të kontribuojë për të gjallëruar ekonominë që nuk po rritet. Dhe janë mundësi të humbura prej 11 vitesh për debate të tilla dhe sot nuk mund të përdoret sakrifica e tyre si flamur elektoral.
Diaspora është shpirti dhe copa e dytë e zemrës së Shqipërisë që prej rilindjes ku kontributi saj ka qenë jetik për kombin tonë. Ndaj ajo është më e rendësishme se sa tallja dhe përdorimi politik”, shkruan Tabaku.