Politika Berisha: Do luftojmë në Parlament deri në rikthimin e të drejtave të...

Berisha: Do luftojmë në Parlament deri në rikthimin e të drejtave të opozitës

Edhe seanca e kësaj të enjteje zgjati vetëm 20 minuta. Opozita e bllokoi sërish foltoren me karrige dhe sërish salla u mbush me tym, nga tymueset e lëshuara nga deputetët demokratë. Pas përfundimit të seancës, në një prononcim për gazetarët, Sali Berisha tha opozita është e vendosur të luftojë në parlament deri në rikthimin e të drejtave të saj.

“Ky është funksionimi i parlamentit të Edi Ramës dhe Lindës së tij në parlament. Ky është turpi i Shqipërisë, Europës dhe çdo vendi të lirë. Përsëri kanë tmerr nga të drejtat kushtetuese të opozitës. Përsëri mbrojnë pasuritë e tyre të vjedhura me pushtetin e Edi Ramës, përsëri mbrojnë Edi Ramën, përsëri vazhdon kolapsi i plotë dhe asgjësimi i pluralizmit në parlament. Qytetarë dhe qytetare, ne vazhdojmë me vendosmëri, por kërkojmë solidaritetin tuaj, mbështetjen tuaj vendimtare për triumfin e pluralizmit, demokracisë, për largimin e narkodiktaturës nga Shqipëria.

Kur shkelet Kushtetuta, nuk ka parlament. Që një parlament të funksionojë duhet të zbatohen rregullat kushtetuese. Parlamenti funksionon mbi bazën e pluralitetit, mbi të drejtat kushtetuese. Kushtetuta ka sanksionuar të drejta për deputetët. Ato të drejta nuk i ka sanksionuar për personin, por për popullin opozitar, që përfaqësohen nga opozita. Kjo tregon se parlamenti funksionon njëlloj si në diktaturë, si në Korenë e Veriut dhe jashtë çdo lloj standardi. Ne do luftojnë në parlament deri në rikthimin e të drejtave tona. Gjersa të krijohen komisionet parlamentare, derisa Rama, të paraqitet… Ka Kushtetutë para ligjeve, Kushtetuta është ligji suprem i një vendi”, tha Berisha.