Ish-kryeministri Sali Berisha e quajti “terrorist nuklear” Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Gjatë një prononcimi për gazetarët në hyrje të Parlamentit, ish-kryeministri ofroi një mbështetje për liderët e NATO-s që janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.
“Duke shprehur dhe konfirmuar mbështetjen e pakufishme për këtë aleancë, uroj dhe dëshiroj që me vendimet e tij, ky samit t’i japë përgjigjen më të merituar terroristit nuklear, diktatorit gjakësor që beson dhe mendon se mund të terrorizojë lirinë e botës me armët nukleare që ai disponon. Prandaj e konsideroj këtë samit shumë të rëndësishëm për paqen dhe lirinë në botë dhe i uroj shumë suksese”, tha Berisha.
Ish-kryeministri e ka dënuar disa herë pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ai u përfshi edhe në një debat në distancë me ambasadën ruse në Tiranë, pasi tha më 17 mars se i ishin ofruar shuma përrallore për të hequr dorë nga gazsjellësi “Trans Adriatic Pipeline”, në favor të gazit rus.