Sali Berisha tha se Kushtetuta e Shqipërisë është kthyer në një statut të Partisë Socialiste, që përdoret nga Edi Rama sipas dëshirës së tij. Duke i vendosur një nofkë të re kryeministrit, “Edi Gjipeja”, Berisha tha se Rama ka marrë disa qindra mijëra metra katrorë tokë në Gjipe, bashkë me familjarët e tij.
“Kushtetuta e Shqipërisë ka rënë dhe kjo për të shumtën herë. Ajo është kthyer thjesht në një letër pa vlerë apo në statutin e Partisë Socialiste, nenet e të cilës zbatohen dhe interpretohen nga kreu i narko-shtetit shqiptar Edvin Kristaq Gjipea sipas vullnetit të tij malinj personal. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas nenit 124 të Kushtetutës zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës zbatohen në narkoshtetin e Edi Ramës vetëm në rastin kur ato shprehin vullnetin e këtij të fundit dhe narko-mazhorancës së tij”, tha Berisha në një videomesazh nga banesa e tij, ku qëndron në arrest shtëpie.
“Në rast të kundërt këto vendime të cilat në doktrinë kanë vlerën e normës kushtetuese, kurrë nuk zbatohen, por hidhen në kosh si letër pa vlerë dhe së bashku me to de-facto hidhet vetë Kushtetuta dhe rendi i bazuar në librin themelor të shtetit”.
Duke renditur rastet kur sipas tij Kushtetuta është shkelur, nga prishja e Teatrit Kombëtar e deri te çështja e mandatit të Olta Xhaçkës, Berisha kërkoi edhe një reagim nga Bajram Begaj. “Heshtja e Presidentit të Republikës, i cili jo në germën e Kushtetutës, por në doktrinën kushtetuese është garant i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është dëshmi tjetër e pushtetit absolut të Edi Ramës”, tha Berisha.
“Por ky akt është gjithashtu dëshmi flagrant se sa e kontrolluar është në Shqipëri nga Edi Gjipea lufta kundër korrupsionit në raste ku vetë ai haptas apo fshehtas është personalisht i përfshirë. Por këto akte dëshmojnë se sa të pashpresë janë qytetarët shqiptarë në paditë e tyre kundër qeverisë për shkeljen e të drejtave të tyre civile dhe penale në një sistem gjyqësor fiktiv që kontrollohet me dorë të hekurt nga Edvin Gjipea. Por këto akte dëshmojnë gjithashtu fytyrën e vërtetë dhe produktet monstruoze të reformës së drejtësisë në Shqipëri. Partia Demokratike si parti e lirive dhe të drejtave të njeriut garanton shqiptarët se rivendosja e shtetit ligjor dhe kushtetutshmërisë në vend, janë objektivat më madhore të saj”.