Ish kryeministri Sali Berisha i zgjodhi mirë fjalët në emisionin Përballë në RTSH, kur komentoi lënien jashtë të ish bashkëpuntorëve të tij nga listat e kandidatëve për deputetë, por i dha plotësisht të drejtë Lulzim Bashës për emrat e kandidatëve të PD-së në 25 Qershor. Sipas Berishës, “nuk ka diskutim që kryetari ka të drejtë të patjetërsueshme të ketë listën e tij”.
Duke komentuar kundërshtimet e Jozefina Topallit dhe Arben Imamit, Berisha tha se ato mbeten ish bashkëpuntorët e tij, por shtoi “edhe miqtë e mi për aq kohë sa ata të dëshirojnë të ruajnë ato raporte”.
Me këto deklarata, Berisha i dha fund dilemave nëse kishte pasur dijeni për emrat që përzgjodhi Lulzim Basha për të kandiduar apo jo.
Më poshtë, pjesa nga intervista me gazetarin Lutfi Dervishi:
LUTFI DERVISHI: E kam ndjekur edhe nëpër studio, nuk është se bëjnë debat shumë për ekonominë. Nuk është normale që 2 javë para ditës së votimit të flasësh për listat e PD-së, por debati për to mori kohë. Dhe të pakënaqurit dhe kritikët, që nuk mungojnë në këto raste, ju referuan shkeljeve të statutit dhe faktit se ju që keni qenë në krye të PD-së, për listat e deputetëve keni mbledhur kryesinë.
SALI BERISHA: Njeriu i fundit që mund të pyetet për problemet e brendshme të PD-së jam unë. E them këtë me sinqeritetin më të madh. Pse? Përsëri statusi im është i tillë. Çdolloj qëndrimi publik mua më krijon përshtypjen se do të më nxirrte nga statusi im i një njeriu të dorëhequr njëherë e përgjithmonë, i njeriut të larguar pa rikthim. Dhe në këtë mes, kryetari ka pranuar që këto janë listat e fundit që bëhen në këtë mënyrë. Dhe çfarë mund të them për këtë?! Lista, çdo njeri po të bënte një listë… nuk ka diskutim që kryetari ka të drejtë të patjetërsueshme të ketë listën e tij. Mënyra…
LUTFI DERVISHI: Që me këtë listë të fitoj dhe të bëhet kryeministër….
SALI BERISHA: Po, që të fitoj dhe të bëhet kryeministër…
LUTFI DERVISHI: Po nëse nuk bëhet dot kryeministër, çfarë bën kryetari?
SALI BERISHA: Nëse nuk bëhet dot kryeministër, Lulzim Basha ka përcaktuar se nëse nuk fiton zgjedhjet do të bëj zgjedhjet për kryetarin e PD-së në korrik. Këtu kemi dy qëndrime…Edi Rama thotë…
LUTFI DERVISHI: Ta lëmë Edi Ramën një sekondë se kam një pyetje.
SALI BERISHA: Jo s’ka diskutim, se thotë që po nuk fitova zgjedhjet …
LUTFI DERVISHI: Në 2013-ën ju keni vendosur një standard si kryetar i PD-së…
SALI BERISHA: Nuk është i domosdoshëm ai standard për të gjithë. Ta themi atë që është..
LUTFI DERVISHI: Dakord, t’i referohemi një standardi tjetër. Në momentin e Brexit nga një votim iku një klasë politike. Domethënë ikën ata që ishin pro, ikën ata që ishin kundër. Qarkullimi i elitave nënkupton se nëse ti ke fuqinë për të përcaktuar gjithë listën dhe të thuash “është lista fituese, do të bëhem kryeminsitër”, nëse ti nuk bëhesh kryeministër, atëherë gjithë ky pushtet shkon me një përgjegjësi më të madhe…
SALI BERISHA: Nuk ka diskutim që shkon në një përgjegjësi më të madhe. Kushdo që më pyet mua “po si ndodhi që i more të gjitha përgjegjësitë mbi vete?”, shumë thjesht i them se kryetari ata që i kishte përreth i kishte pëlqyer vet në një mënyrë ose në një tjetër i kishte përzgjedhur vet dhe asnjeri nuk ia kishte vendosur atij në ato pozicione. Nuk është se ata nuk kishin secili nga pak përgjegjësi…
LUTFI DERVISHI: Sipas rretheve…
SALI BERISHA: Po kryetari e kishte përgjegjësinë dhe kryetari mban përgjegjësinë kryesore. Lulzim Basha ka deklaruar se do të bëhen çdo dy vjet zgjedhjet e kryetarit të PD-së, pas çdo zgjedhje lokale dhe pas çdo zgjedhjeje të përgjithshme.
LUTFI DERVISHI: Po, por në momentin që shuhen të gjithë zërat kritik, zgjedhjet brenda partisë kthehen në një formalitet.
SALI BERISHA: Jo, nuk shuhen. Zërat kritikë nuk shuhen kurrë në asnjë parti, as në partinë demokratike. Por kjo është një periudhë dhe unë e shfrytëzojë këtë rast dhe unë e shfrytëzoj këtë rast t’i bëj thirrje çdo demokrati, çdo qytetari të bëjnë gjithçka në këtë prag fitorje të sigurtë të opozitës shqiptare. Kurrë ndonjëherë nuk e ka patur populli i opozitës më afër, më të prekshme, më të mundshme fitoren, se sa në këto zgjedhje. Imagjino kë kanë kundërshtar. Kanë kundërshtar një njeri i cili pasi mashtroi, pasi shpalli platformë me 42 premtime dhe ka zbatuar vetëm një prej tyre, heqjen e TVSH-së për ilaçet, paçka se çmimi i ilaçeve është rritur me 30% në krahasim me 3 vjet më parë…
LUTFI DERVISHI: Sidomos ilaçet që prodhohen në vend…
SALI BERISHA: Më fal, çfarë ndodh tani?! Shihe! Ju thashë që fushata është shumë e veçantë. Ke një opozitë që paraqet një program, ke një qeveri që ka zero bilanc para qytetarëve, ka zero projekte para qytetarëve. Në çdo platformë që shkon flet për shoferin, flet për timonin, flet për sahatin e Tiranës që ndaloi ditën që ai iku nga Bashkia dhe nuk punoi 4 vite më, i zemëruar sahati. Flet për çdo gjë, por nuk tregon dot një punë publike të përfunduar, nuk flet një fjalë për TAP-in, nuk flet një fjalë për Devollin, nuk flet një fjalë për përfundimin e hidrocentralit të Banjës, për hidrocentralet e Fanit…
LUTFI DERVISHI: Këto të dyja, TAP-i dhe Devolli janë ndër faktorët kryesorë që çojnë në rritjen ekonomike ende në 3.5 përqind…
SALI BERISHA: Po janë projekte të qeverisë time…
LUTFI DERVISHI: Absolutisht… kam vetëm një të fundit për ta mbyllur…Koha për të bërë kritika ndaj listës është e pavend, por a keni ju një koment për kritikat e kritikëve të bujshëm të listës, – ku spikasin zoti Imami dhe zonja Topalli?
SALI BERISHA: Unë nuk kam asnjë koment për qëndrimin e asnjeriu. Duhet të dish një gjë. Ata me të cilët unë mbylla kapitullin tim më 20 korrik të vitit 2013. Ata janë ish bashkëpuntorët e mi dhe miqtë e mi për aq kohë sa ata të dëshirojnë të ruajnë ato raporte. Natyrisht kryetari i ri i PD-së ka absolutisht të drejtë të zgjedh ekipin e tij pa asnjëlloj hezitimi në këtë aspekt sepse thotë se unë me këtë ekip do të fitoj, me këtë ekip do të qeverisë…