Ish-kryeministri Sali Berisha ishte në SPAK këtë të mërkurë ku u njoh me akuzën dhe se është marrë i pandehur për dosjen “Partizani”.
Pas daljes nga SPAK, ai pati një deklaratë për mbështetësit e tij, duke treguar se çfarë gjeti brenda prokurorisë.
“Miqtë e mi! Jua thashë dhe mediave, çfarë gjeta unë këtu? Këtu gjeta Edi Ramën, i cili pozonte me orën 500 mijë euro të dhënë nga trafikantët tek udhëtonte për në Aruba. Gjeta Linda Ramën të regjistruar tek ndërhynte për tenderat e kunatit të vet. Gjeta Olsi Ramën, si kryesor i grupit të Xibrakës, por edhe udhëheqësi i Amant Josifit. Gjeta kanionin e Gjipesë të grabitur nga Edi Rama.
Gjeta Taulant Ballën tek shpërblehej nga Sokol Çela, tek merrte nga Sokol Çela 1 milion Euro për shpëtimin e dy vrasësve në Shkodër që i vunë dinamitin Lulzim Kullës. Gjeta edhe ata që kishin planifikuar të vrisnin një politikan afër Edi Ramës, vetëm e vetëm për të hapur hapësirën për ta. Çfarë gjeta këtu? Gjeta “Lubi” Ballukun, e cila i kishte dosjet palë-palë që u vjedh shqiptarëve 90% të fondeve të rrugëve. Gjeta të shpërfytyruarin Erjon Veliaj, i cili si mi kujdeset mos i hapej 5D. Po Gonxhja? Nuk ka hajdut më të shpërfytyruar se Blendi Gonxhja. Ishte me nja 30 dosje aty. Gjeta Elisën e “Skënderbuçit” me 5 milionë euro. Kush nuk ishte aty. Ishte një muze kriminelësh, vrasësish, qeveritarësh peng”, tha Berisha.
Ai i bëri thirrje mbështetësve që të vazhdojnë betejën deri në fitore.
“Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë më të fuqishme se kurrë në ekzistencën tonë. Dy botë përballen në Shqipëri, bota e krimit dhe drogës. Bota e qytetarëve të ndershëm, trima guximtarë që janë në një mision për të shpëtuar vendin e tyre. Vazhdojmë betejën gjer në fitoren tonë”, tha Berisha.