Kryetari i PD Sali Berisha shprehet se me Kryeministrin Edi Rama do të bashkëpunojë vetëm për të ndryshuar Kodin Elektoral.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, Berisha theksoi se ky do të ishte bashkëpunimi i tij i vetëm me Ramën nëse ndodh.
“Asnjë formë bashkëpunimi me Edi Ramën nuk do pranoja përveç ndryshimit të ligjit elektoral. Gjë që ai s’e pranon”, tha Berisha.
Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me Lulzim Bashën, Sali Berisha u shpreh se ai është vetëlarguar nga partia.
“Përsa i përket Lul Bashës, ai është deputet nuk ka dorëzuar mandatin. Ka kryer aktin e rëndë të vetëlargimit nga PD se Statuti nuk ka përjashtim, por ai që në fushatë elektorale nxjerr kandidatë kundër partisë së tij, ai konsiderohet i vetëlarguar në të gjitha kodet e botës”, tha Berisha.
Berisha vlerësoi edhe koalicionin me partinë e Ilir Metës në këto zgjedhje, edhe pse opozita mori një rezultat të dobët.
Në bashkëbisedimin me qytetarët në Facebook, Sali Berisha tha se koalicioni “Bashkë Fitojmë” ishte i nevojshëm edhe për kandidatët e Primareve që të mos regjistroheshin si të pavarur.
Sipas Berishës, në këto zgjedhje u tentua asgjësimi i Partisë Demokratike dhe për këtë ai akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe jo vetëm.
“Unë mendoj se Partia e Lirisë ka qenë plotësisht luajale dhe ajo nuk kishte asnjë interes si parti të bënte koalicion, por këtë koalicion ajo e bëri në mënyrë që opozita të kishte një fuqi më të madhe, përndryshe siç e patë ju, kandidatët tanë do detyroheshin të regjistroheshin të pavarur sepse Edi Rama me gjykatësit e tij, ekzekutorë të ligjit në sallën e gjyqit, mori logon dhe vulën e PD-së. Në këto rrethana, të garantoj që Edi Rama do i kishte bërë shpërblimin më të madh Ilir Metës, nëse nuk do pranonte koalicionin me PD. Duhet të kemi gjykim politik. Përpjekja ishte një dhe vetëm një, të asgjësohej PD në këtë farsë elektorale. Kjo përpjekje dështoi. PD mori 40 përqind të votës së elektoratit. Ne ishim para rrethanës që Edi Rama dhe jo vetëm ai, kërkonin me çdo kusht që të na zhduknin nga harta elektorale e vendit”, tha Berisha.