I pyetur në “Quo Vadis” për zgjedhjet e pjesshme lokale, ish-kryeministri Sali Berisha, teksa fliste si drejtues i Partisë Demokratike, u shpreh se zgjedhjet nuk do të bojkotohen.
Për Berishën, Voltana Ademi vlerësohet si një kandidatë që i plotëson kushtet për të garuar nën siglën e PD.
“PD nuk bojkoton zgjedhjet. Kandidatët nga PD janë kandidatët që do të dërgojmë ne. Ne do të shkojmë me siglën tonë në KQZ…Mendoj që znj. Ademi ka të drejtë të kandidojë sërish. Se kush do jenë kandidatët e caktojnë primaret. Për vlerësimin tim, Ademi plotëson kushtet.”
Berisha sfidon zyrtarin e SHBA-së, Escobar: Numëro karriget e Lulit
Berisha ka komentuar edhe qëndrimin e sekretarit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar lidhur me protestën e 8 janarit, teksa dënoi dhunën në selinë e PD.
“Jam 100 për qind me Escobar për votën, të sjellë cilindo dhe të kontrollojë 4446 vota dhe firma kundër tij, të kontrollojë 44 mijë votat e anëtarësisë. Njeriu që nuk njeh votën është vetëm ai që ka marrëdhënie pune. Zoti Escobar të dërgojë një njeri të numërojë karriget nëse nuk beson atë që kanë bërë mediat. Unë vlerësoj kërkesën e tij për vota, por nuk mund të pranojë kurrë 1958 vota për 5004 vota sepse kjo destabilizon vendin. Këtu ka një problem themelor: çështja e votës. Basha nuk pranon votën. Ka një problem të dytë, shumë të madh: A mundet një kryetar partie të blindojë selinë e partisë, të rrethohet me trafikantë e vrasës. A mund të ndodhë kjo? Ndaj edhe unë, ftoj Escobar të rishqyrtojë edhe njëherë faktet. Do të gjejë një realitet krejtësisht tjetër”, tha Berisha në Vizion Plus.