Kryesore Berisha flet si kryetar i PD-së: U krye! Kurrë mos thoni kurrë

Berisha flet si kryetar i PD-së: U krye! Kurrë mos thoni kurrë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve që e rikthyen në krye të PD-së.

Berisha deklaroi se procesi i sotëm zgjedhor në PD “do të regjistrohet si mrekullia e vërtetë e shekullit XXI”.

Berisha tha se ky besim i jashtëzakonshëm i demokratëve është një detyrim i madh për të.

“U krye! U krye jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e vërtetë e Shqipërisë në shekullin XXI. Jam i përulur dhe jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që në një hark kohor të shkurtër ngadhnjyen si njerëz të lirë, në një proces që do të regjistrohet si mrekullia e vërtetë e shekullit XXI. 31 vite më parë, një mik i madh i kombit tonë, në vizitën e tij historike, Jim Baker, do u thoshte shqiptarëve se do të ishin të lirë që të zgjidhnin udhëheqësit e tyre. Anëtarët e Partisë Demokratike, njerëz të lirë të këtij vendi, bënë historinë në një proces të mrekullueshëm, ndaj dhe mirënjohja shkon drejt të gjithë atyre”, tha Berisha në fjalimin e fitores.

“Mirënjohje për të gjithë anëtarët që sot lanë të gjitha detyrimet e tyre dhe votuan për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike. Ky besim i jashtëzakonshëm i tyre është për mua detyrim i madh, por kam bindjen se së bashku do t’ia dalim. Jemi në një mision që të shpëtojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton”, shtoi Berisha.

“Mirënjohja ime shkon te të rinjtë shqiptarë. Duhet ta pranojmë. Ishin ata promotorët kryesor të kësaj lëvizje. Betimi im para tyre dhe mbarë shqiptarëve do të bëj gjithçka që ëndrrat e tyre më të bukura të bëhen realitet në këtë vend.

Ai që realizon ëndrrat e tij, është pafundësisht i detyruar të bëj gjithçka për realizimin e ëndrrave. Më pak se një vit më parë, në këtë sallë, diku në qoshe gazetarët më pyetën: ‘Çfarë mendon për rikthimin tënd dhe a parashikon Berisha të rikthehet në krye të PD? Përgjigja ime ishte kjo: Kurrë mos thuaj kurrë”, përfundoi Berisha.