Politika Berisha fushatë në Shkodër: Do ta ringrej PD-në siç bëra në ‘97-ën

Berisha fushatë në Shkodër: Do ta ringrej PD-në siç bëra në ‘97-ën

Një javë para zgjedhjeve të pjesshme, ish-kryeministri Sali Berisha e ka fokusuar fushatën elektorale në bastionin e demokratëve në Shkodër. Gjatë një takimi me banorët e zonës së Dajçit, Berisha u ka bërë apel qytetarëve të votojnë Bardh Spahinë, i cili është përfaqësues i Partisë Demokratike të vërtetë.

“Për t’u bërë thirrje çdo demokrati të Dajçit dhe të Shqipërisë të votojnë opozitën e vërtetë, asnjë votë të mos japin për Lul bravën dhe opozitën fallco, njeriu i cili në 8 vite ka kaluar nga humbja në humbje, një njeri që si Don Kishoti kap e hedh karrigen a thua se nuk u hodhi gaz njerëzve për karrigen e tij.”

Berisha iu rikthye historisë së vitit 1997 për të shpjeguar se kur opozita është e vërtetë ajo ringrihet.

“Në 1997, ne si PD, u bëmë si parti copë-copë. I përjetshmi, Pjetër Arbnori nisi grevën e tij në makinë, dhe po shkonte drejt vdekjes. Ne dilnim në protestë çdo ditë. Fillimisht ishin 30 veta dhe unë mbaja një fjalim, nesër ishin 40 vetë, pas 10 ditësh u bëmë 300 veta dhe më pas dolëm në bulevard, pushtuam rrugët. E kjo ndodhi se ne ishim të vërtetë. Ky proces zgjedhor ka rëndësi kombëtare se është mesazh për të ardhmen.”

Berisha përsëriti mesazhin se zgjedhjet e 6 marsit kanë rëndësi kombëtare.

“Ky proces zgjedhor është vërtetë lokal, por është edhe kombëtar. Është një mesazh i fuqishëm që ju dërgoni për të gjithë shqiptarët, mesazh me të cilin duhet të mbjellim shpresën.”

Kandidati i Sali Berisha dhe Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Bardh Spahia garon në koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, pjesë e të cilit janë LSI dhe PDK.