Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se jugu i Shqipërisë ndodhet në situatë dramatike dhe se është shpopulluar.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se rrënimi ekonomik është faktori kryesor i shpopullimit në jug.
“Jugu i Shqipërisë ndodhej në situatën më dramatike. Shpopullimi i Gjirokastrës dhe jugut është i paimagjinueshëm, sepse rrënimi ekonomik si shkak kryesor i këtij shpopullimi, tejkalon të gjitha përmasat. Do t’ju jap vetëm një shembull. Në Libohovë, nga 50 kompani ndërtimi që kishte në 2013, sot nuk ka asnjë.
Në Gjirokastër, kaloje në rrugë dhe të lëndonte në shpirt kompesatoja në vitrinat e dyqaneve të falimentuara. Një politikë për shpopullimin e kësaj zonë ndiqet nga qeveria”, theksoi ai.
Berisha deklaroi më tej se kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit në Lazarat.
Berisha u shpreh se gjatë vizitës së tij në fshat, kishte komunikuar me banorët, të cilët i treguan për terrorin që kishin përjetuar gjatë operacioneve anti-drogë.
“Unë u ktheva më i impresionuar se kurrë, nga vizita ime në Lazarat. Çfarë konstatova në Lazarat? Në ato bisedime të shkurtra dhe rrëfime të banorëve të Lazaratit, unë konstatova që Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit.
Në këtë fshat, krime të vërteta me operacionin e tyre anti-drogë, bandat kriminale me uniformë nuk kanë ngurruar, t’i vendosin tytën e automatikut në gjoks fëmijës tre vjeçar, nënës që mbronte fëmijët e saj, kryeplakut të fshatit, banorëve të tjerë, një terrorizëm që Lazarati nuk e ka parë kurrë”, theksoi kryedemokrati.