Politika Berisha: Gjuhës Shqipe t’i rikthehet paskajorja, të rishikohet Drejtshkrimi i vitit 1972

Berisha: Gjuhës Shqipe t’i rikthehet paskajorja, të rishikohet Drejtshkrimi i vitit 1972

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje që të rishikohet Drejtshkrimi i vitit 1972 për Gjuhën Shqipe.

Nga Shkodra ku zhvilloi një takim me intelektualë të këtij qyteti, Berisha kërkoi nga pedagogët e Fakultetit të Filologjisë së Shkodrës që të rishqyrtojnë qëndrimin për Drejtshkrimin 1972 dhe të rikthehet forma paskajore e foljeve.

“Meqë jam këtu në Shkodër dhe ju përmendët Fakultetin e Filologjisë, unë e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme, dhe unë u bëj thirrje pedagogëve të këtij fakulteti të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre ndaj Gjuhës Shqipe. Ka ardhur koha që prangat që ju vunë Gjuhës Shqipe në Kongresin e quajtur të Drejtshkrimit të vitit 1972, t’i hiqen gjuhës.

Nuk jam kundër gjuhës zyrtare. Por nuk mund të pranoj unë t’i presësh gjuhës kordën, njërën nga kordat vokale, paskajoren, vetëm se i përkiste dialektit gegë. Nuk mund ta pranoj këtë, sepse ajo përbënte një pasuri ndër më të çmuarat për gjuhën.

Nuk mund të pranoj unë që nëpërmjet rregullave të ngurta të varrosim të gjithë letërsinë e Fishtës, Mjedës, Filip Shirokës, shkrimtarëve të Kosovës. Dhe unë duhet t’i shpjegoj nipit tim sepse kur lexon Fishtën i duket sikur po lexon një gjuhë të huaj. Kjo i përket Fakultetit të Filologjisë së Shkodrës të marrë nismën. Ata të cilët e konsiderojnë këtë si një qëndrim përçarës, ata janë përçarës vetë, nuk është fare një qëndrim përçarës. Sepse duhet të ishte dogma marksiste qëndrimi i Enver Hoxhës kundër gjuhës së liturgjisë. Gjuha e liturgjisë ishte gjuha më e përpunuar, e vetmja e shkruar në shekuj, deri diku dhe e unifikuar. Ai këtë nuk e donte.

Unë u mora me këtë problem, se nuk bindem unë, që të dënosh gjuhën paskajoren. Por ç’më ndodhi? Ata të cilët duhet të merrnin këtë iniciativë ata kishin shkruar mijëra faqe në drejtim të kundërt dhe patën ndonjë të ndershëm që më tha ç’tu bëj në atyre që kam shkruar? Po i ke shkruar gabim i thashë unë. Gjuha po vuan dhe mos prisni mbështetje nga ata të cilët veprat e tyre i shkruajtën mbi atë bazë por nuk menduan njëherë për veprat e Fishtës, veprat e Ndre Mjedës”, tha ndër të tjera Berisha.