Sali Berisha u shfaq më shumë se i bindur se administrata e re amerikane, nën drejtimin e Trump, do ta heqë masën non grata ndaj tij.
Berisha lëshoi akuza të ashpra dhe ndaj ish-ambasadores amerikane, Yuri Kim, e cila sipas tij kur u vendosën sanksionet kërkoi nga diplomatët e vendeve të tjera që të bashkohen me to, por që u kundërshtuan ashpër nga ambasadori i ndjerë gjerman.
“Nuk kam dyshim. SHBA nuk do pajtohen me puçin që u bë, me grushtin e shtetit që u bë vetëm që t’i jepen pushtet narkodiktatorit Edi Rama. Historia nuk bëhet me retushime si Enver Hoxha apo Yuri Kim. Ata që bëjnë veprime të tilla janë Donkishotër. Ne u ndëshkuam për vlerat që besonim.
Në takimin e parë pas shpalljes non grata që Yuri Kim bëri me ambasadorët e vendeve të mëdha iu kërkoi të solidarizohen. Ambasadori gjerman i tha që ne nuk solidarizohemi pasi ju nuk na pyetet ne kur e morët këtë masë dhe nuk keni asnjë fakt për korrupsionin e Sali Berishës. Ai i tha se ajo e bëri këtë për të ndihmuar Edi Ramën”, tha Berisha në A2.
Berisha tha se përpjekjet për shpalljen e tij non grata nisën që në administratën e parë Trump, por “me politikanë të korruptuar si Matthew Palmer dhe Edi Rama dhe George Soros”.
Sipas tij, këto përpjekje nisën vetëm se kishte kundërshtuar projektin për ndarjen e Kosovës dhe Ballkanin e Hapur.
“U shpalla non grata me lobimin e Ramës dhe Sorosit, pa asnjë fakt dhe dokument. Është e vërtetë që negociatat i nisën Matthew Palmer në 2020 me Ramën dhe Soros se kisha konspiruar kundër politikës amerikane, sepse kisha kundërshtuar projektin e Kosovës. Kundërshtova Ballkanin e Hapur dhe isha pengesë për projektet Vuçiç-Rama-Soros”, tha Berisha.