Kryesore Berisha i jep porositë Kryesisë: Tani është koha për betejë! Zbarkoni të...

Berisha i jep porositë Kryesisë: Tani është koha për betejë! Zbarkoni të gjithë në bazë

Sali Berisha ka mbledhur këtë të hënë Kryesinë e Rithemelimit, ku ka bërë me dije dhe vijimin e aksionit opozitar.

Berisha në fjalën e tij vijoi akuzat ndaj SPAK se me urdhër të kryeministrit Edi Rama po godet opozitën për ta asgjësuar atë.

Berisha kërkoi nga Kryesia që të organizohen në bazë dhe të nisin takimet për të luftuar për demokracinë në vend.

“Të gjitha këto po ndodhin para syve tonë. Tani është koha për betejë! Tani është koha të ngrihemi!

Tani është koha që cilido që mendon dhe beson se duhet të luftojë për demokracinë në këtë vend, për dinjitetin në këtë vend, se pa demokraci nuk ka dinjitet. Kurrë!

Ne duhet të ngrihemi!

Ne nuk mund të pranojmë… ne e nisëm këtë, askush të mos e lidhë më këtë që ndodhi. Kjo që ndodhi është dëshmi e radhës e atyre faktorëve që na detyruan të shpallim betejën pa kthim.

Beteja pa kthim duhet të organizohet.

Beteja pa kthim kërkon sakrifica nga çdo demokrat.

Unë jam i bindur se problemet me të cilat përballen demokratët, janë shumë të dhimbshme, janë shumë të thella, janë shumë të mëdha.

Por zgjidhje tjetër nuk ka përveç mobilizimit, përveç ngritjes në këmbë, përveç betejës!

Përndryshe, sa më shumë të zvarritet, aq më e thellë bëhet kriza. Aq më dëshpëruese bëhet situata.

Ndaj dhe mesazhi im është ky sot: mesazhi im është të bëjmë gjithçka, të shpërndahemi në mbarë vendin në një dialog, në një emergjencë. Thashë edhe njëherë ky është kapitulli i fundit dhe këta nuk kanë fund fare se ky nuk ndalet në betejën e asgjësimit të opozitës.

Por edhe opozita nuk do ndalet kurrë në rezistencën e saj me të gjitha format për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar.

Nuk ndodh kurrë në botë që të përdoret një samit kundër gjysmës tjetër të kombit. Që të përdoret një vizitë shtetërore për të kërkuar anulimin e vizave për gjysmën tjetër të kombit.

Nuk ka kurrë tradhtar të tillë që i lejojnë vetes qëndrime të tilla si Edi Rama.

Ne nuk mund të rrimë më duarkryq. Kjo situatë kërkon përgjigje, besoj se biem dakord.

Ndaj të shpërndahemi në një takim me bazën tonë, me këtë thirrje: Ne duhet të fillojmë betejën, parlamentarët e kanë filluar betejën. Ata do qëndrojnë në parlament, nuk e braktisin parlamentin, por do qëndrojnë aty gjer në rikthimin e të drejtave të plota të tyre.

Kurse PD do qëndrojë gjersa shqiptarët të votojnë të lirë”.