Ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj edhe njëherë Lulzim Bashën, në atë që po shndërrohet në një përballje pa dorashka mes dy liderëve demokrat.
Kësaj radhe Berisha zgjodhi profilin e tij në Facebook, duke iu përgjigjur akuzave të sotme të Bashës, që ndër të tjerat e quajti ish-komunist, burracak dhe tub oksigjeni për Ramën.
“Burri ka vërtet 1 jetë me u korit, por besëprerit nuk i dalin as 10 jetë të bëhet burrë!”, ishte fjalia e tij e vetme, duke shigjetuar një batutë të Bashës kundër tij.
Ndërkohë më herët, Basha tha se, “koha na mbaron të gjithëve ne, dhe në veçanti dikush në moshë bëhet gjithnjë e më shumë i vetëdijshëm se ka më pak dhe jo më shumë kohë nga Zoti. Shqiptarët e dinë thënien e veriut “burri ka kohë me u koritë”. Nuk mund të mos shpreh keqardhjen time për rënien kaq poshtë të Sali Berishës për koritjen e tij dhe shfaqjen si një hije, fantazmë e të kaluarës”.