Sali Berisha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Gazment Bardhit për një takim të të gjithë deputetëve të koalicionit, ditën e martë, për të hedhur një hap përpara drejt zgjidhjes së krizës në kampin opozitar.
Ish-kryeministri Berisha konsideron si një hap pozitiv këtë ftesë dhe konfirmoi pjesëmarrjen në takim.
“Do të marrim pjesë në takimin e thirrur nga Gazment Bardhi. Ftesën e konsiderojmë si hap pozitiv. Ne i përgjigjemi pozitivisht ftesës”, tha Berisha pas seancës së Kuvendit.
Një ditë pasi Lulzim Basha e shkarkoi nga posti i kreut të Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi ka thirrur në një takim të gjithë deputetët e opozitës, përfshirë ata të grupit të Lulzim Bashës dhe të Sali Berishës, si edhe aleatët që kanë dalë nga lista e aleancës PD-AN, me qëllim unifikimin e aksionit opozitar, kundër qeverisjes së Edi Ramës.
Sipas Bardhit, ndasitë në mendime e ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të na heqin vëmendjen nga përgjegjësia ndaj vendit dhe qytetarëve.