Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot se mosbindja e djeshme civile e opozitës ka tmerruar kryeministrin Edi Rama. Gjatë fjalës së tij në një deklaratë për mediat, kreu i demokratëve thotë se dje u panë shfaqje nga më të shëmtuarat dhe më qesharaket nga kriminelë me uniformë.
Sali Berisha: Jam para jush për të falënderuar përzemërsisht çdo qytetar që ditën e djeshme me mosbindjen e tyre civile çliruan kryeqytetin e Tiranës për 3 orë nga kthetrat e narkoshtetit. Jam këtu gjithashtu për të përshëndetur përzemërsisht guximtarët Albin Cami, Julian Çela, Romario Bilo, Vlash Gjonaj, Arif Hoxha, Gëzim Sadikaj, Çlirim Kokaj, të cilët gjenden në qelitë e narkokomisariateve për revoltën e tyre të djeshme. I garantoj se PD qëndron fuqishëm dhe me mirënjohje të pakufishme ndaj tyre.
Mosbindja e djeshme ka tmerruar gjer në palcë Edi Ramën dhe narkokraturën e tyre, prandaj dhe dje u panë shfaqje nga më të shëmtuara dhe nga më qesharaket nga mashtrues të paguar dhe kriminelë me uniformë. Narkoshteti mbrëmë përdori mashtrues ordinerë, halucinante që shohin gra imagjinare shtatzëna që lindin në autobusë, mashtrim ky vulgar i përsëritur sa herë opozita zhvillon aksionin e saj.
Narkoshteti mbrëmë përdori patronazhistë qesharakë që indinjoheshin se u bllokuan rrugët e kryeqytetit tre orë, ndërkohë që çdo ditë, në kohë të caktuar, rrugët janë të bllokuara disa orë për shkak të “Lal vjedhësit” dhe çrregullimit të madh të trafikut. Narkoshteti mbrëmë përdori narkopolicinë me uniformë për të goditur deputetin, nënkryetarin e parlamentit dhe nënkryetarin e PD, Agron Gjekmarkaj, duke e bërë atë për spital.
Më tej, Berisha është shprehur i bindur se PD më 11 Maj do të firmosë rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës në Shqipëri.
Sali Berisha: Duhet të siguroj shqiptarët se PD në këtë përpjekje, me 11 Maj do të firmosë së bashku me partitë opozitare, rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës në Shqipëri. Dua të falënderoj edhe njëherë ata dhjetëra-mijëra qytetarë që morën pjesë në mosbindjen civile më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe në kushtet më të veçanta. Dua të përshëndes përsëri të arrestuarit tanë në qelitë e diktaturës dhe t’i garantoj se autorët e burgosjes së tyre, e keqtrajtimit, do marrin të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor.