Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë një tryeze me ekspertë për krizën e energjisë, ka thënë se janë dy faktorë që sipas tij po gllabërojnë sasi kolosale energjetike. Sipas ish-kryeministrit, ato janë impiantet e prodhimit të Bitcoin dhe serat e kanabisit.
“Dy faktorë që po gllabërojnë sasi kolosale energjetike lidhen direkt me këtë qeveri dhe eksponentë të saj. Këta dy faktorë janë, impiantet e Bitcoin të vendosura në afërsi të hidrocentraleve. Gllabërues të papërmbajtur, kuçedra të vërteta të energjisë elektrike. U zbuluan dy në Shijak. Ato ishin miniaturë e atyre në afërsi të hidrocentraleve.
Ata janë absolutisht të lidhur me qeverinë. Askush tjetër nuk mund të marrë përsipër ta shndërrojë Shqipërinë në një vend kryesor të prodhimit të Bitcoin përveç qeveritarëve. PO! Ti mund të prodhdosh dhe të bësh biznes, por me kusht që të lidhësh dhe të paguash energjinë që konsumon një konteiner që prodhon Bitcoin. Ishte Ardian Çela, deputet dhe ish-drejtues i KESH-it që deklaroi se digat i zbrazën konteinerët e Bitcoin dhe serat e kanabisit. Serat e kanabisit janë që të gjitha të kontrolluara nga policia dhe qeveria. Harrojeni ju që ngre kush sera kanabisi pa garanci shtetërore, të narkoshtetit”, tha Berisha.