Ish-deputeti i PD-së, Astrit Patozi i ka bërë thirrje dje ish-kreut të partisë, Sali Berisha që të veprojë sa më shpejt për situatën në PD, në të kundërt gjërat do të përkeqësohen për të djathtët.
Duke folur nga takimi me lëvizjen e re anti-Basha në Durrës, Patozi tha se edhe demokratët duhet të veprojnë.
“I bëj thirrje, Sali Berishës dhe të gjithë demokratëve, që të flasin tani me fjalë dhe me vepra. Ka ardhur një moment që heshtja është rreshtim me të keqen. Ju duhet të mbroni partinë dhe të ndalni farsën e 22 korrikut. Dhe nëse kjo nuk ndodh, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Bashën, por edhe mbi ne. Dhe ne s’do meritojmë më shumë se një humbës si Basha”, tha ai.
Por Berisha e ka injoruar apelin e Patozit.
Ai sot ka reaguar për listën e e publikuar dje nga kreu i qeverisë, ku renditeshin emrat e 100 personave, punonjës të administratës, zyrtarë të drejtësisë dhe mjekë të denoncuar nga qytetarët për shkelje.
Berisha e quan “listën e zezë” të Ramës, akt të pashembullt dhe antiligjor, ndërsa bën edhe diversionin e radhës.
Sipas tij, është vetëm denigrimi i mjekut Mentor Petrela, që siç thotë Berisha di shumë për shëndetin mendor të Edi Ramës. Ish-kryeministri e lidh këtë me kërkesën e Metës, për kontroll psikik të Ramës.
Ndërsa për apelin e Patozit, ish-kryetari i PD-së nuk ka asnjë reagim.
Por nëse i hedh një sy reagimeve të Berishës në Facebook, nuk ka asnjë shënim për krizën e thellë që ka kapluar partinë e tij.
Berisha ka postuar denoncime të shumta në profilin e tij nga Facebook nga ata që i quan qytetarët dixhitalë.
Berisha ka postuar denoncime nga faturat e pushuesve në Dhërmi e deri tek fotomontazhet e faqeve humoristike, por asnjë reagim të vetëm për garën brenda PD-së.
Këto denoncime të bëra tashmë të zakonshme Berishës nuk është vetëm një strategji për largimin e vëmendjes mediatike nga kriza në PD, por edhe një sinjal për kritikët e Bashës.
Ai me mosreagimin e tij tregon se e cilëson të rregullt garën farsë që po zhvillohet në PD dhe se ashtu siç bëri kundër Sokol Olldashit edhe këtë herë është rreshtuar pro beniaminit të tij./American Eye