Dhjetëra mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha janë mbledhur sërish poshtë banesës së tij mbrëmjen e sotme.
Ndërsa Sali Berisha iu ka folur mbështetësve të tij nga dritarja e shtëpisë së tij, aty ku po qëndron pas masës së re arrest shtëpie të dhënë nga gjykata.
Me një mikrofon në dorë, ish-kryeministri iu drejtua me dhjetëra simpatizantëve të tij, duke thënë se ai do të respektojë vetëm kushtetutën supreme, e cila sipas tij, është ndërgjegjja e demokratëve.
“Vendosën t’i ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju, por unë do ju rrëfej ju një gjë. Miqtë e mi, unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë, ajo është hyjnore dhe i bindemi asaj njëlloj si Zotit. Ndaj ju garantoj ju se Sali Berisha do të mbrojë vetëm atë që është në interesin tuaj dhe në interesin e demokratëve dhe në interesin e Shqipërisë.
Përveç kësaj, vendi, kombi ka një kushtetutë që përdhoset dhe shkelmohet çdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama.
Kushtetua ka një nen të saj, nenin 17 që përcakton se nuk ka kryeministër, gjykatës dhe prokurorë që të mohojë lirinë e shprehjes. Horat ligj nuk kanë, moral nuk kanë. Ndaj dhe ne respektojmë kushtetutën supreme. Kjo është një betejë që ka mision rikthimin e pluralizmit pas zhdukjes së tij.
Sot, unë paraqita në Facebook flamurin e PD, në fakt ai është flamuri i pluralizmit, flamuri i partisë që solli pluralizmin.
Edi Rama është vërsulur ndaj çdo demokrati, me shpresën se do mund të arkivojë në historinë PD. Ne jemi këtu sot për t’u betuar para ndërgjegjes tonë se Edi Rama me grupin e tij kriminal, me skapistët e tij do marrin shumë shpejt vendin që meritojnë”, tha Berisha.
Në fund, ai u shpreh: “Të ngrihemi me guxim, është koha e guximtarëve, është koha e sakrificave. Ne do të fitojmë”, u shpreh Berisha.