Sali Berisha ka kritikuar pr/ligjin e qeverisë për studentët e Mjekësisë që do të marrin diplomën pas 5 viteve punë në Shqipëri.
Në fjalën e tij në Parlament, Berisha akuzoi mazhorancën se po shkatërron Fakultetin e Mjekësisë.
Duke marrw shembull nga Hungaria, Berisha u shpreh se zgjidhja për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria është rritja e rrogave.
“Në kulmin e Covidit një vend shumë më i zhvilluar se ne, anëtar i BE-së, kur konstatoi se mjekë dhe infermierë po largoheshin me shpejtësi drejt Gjermanisë, dhe kjo është Hungaria, vendosi rroga të njëjta me Republikën Federale Gjermane”, theksoi Berisha.
“Sot ndërkohë që po flasim, para parlamentit kanë ardhur në një protestë të ligjshme, kundër një akti absurd, që revokon kohërat e shkuara, më të zezat e këtij vendi, studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Ju me procedurë të përshpejtuar, pa asnjë konsultim, jashtë çdo lloj standardi të ligjbërjes, keni sjellë këtu për të kaluar gjysmë fshehtas një ligj i cili ndëshkon çdo student, çdo të ri që ëndërron të diplomohet mjek në këtë vend. Me këtë ligj në fakt ju shkatërroni edhe bastionin e fundit të këtij sistemi jetik për qytetarët shqiptarë, shkatërroni Fakultetin e Mjekësisë.
Ky ligj i marrë hua nga Kuba aktuale, bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zonat periferike. Në thelb, ai ka në themel vjedhjen, vjedhjen dhe vetëm vjedhjen e shumave kolosale që ju bëni. Kontrolli i Lartë i Shtetit faktoi se vetëm në 1 vit, kanë vjedhur dhe shpërdoruar 138 miliardë lekë. Vetëm në 1 vit keni vjedhur dhe shpërdoruar një shumë të atillë me të cilën mund të rriteshin rrogat së paku 170 % të të gjithë shqiptarëve. Dhe ju në vend që të përdorni stimulin, interesin e mjekut të ri për të shërbyer në zonat në të cilën ka mundësi të marrë një rrogë më të madhe, të shpërblehet për një start më të mirë ekonomik për jetën e tij, ju i tregoni kamxhikun sot dhe i kërkoni në mënyrën më absurde që ai të firmosë, se do të shërbejë 5 vite në periferi apo në Shqipëri dhe pastaj mund të largohet nga Shqipëria. Akt i tillë është i pashembullt edhe njëherë. Ju u tallët me këtë sistem.
Në kulmin e Covidit një vend shumë më i zhvilluar se ne, anëtar i BE-së, kur konstatoi se mjekë dhe infermierë po largoheshin me shpejtësi drejt Gjermanisë, dhe kjo është Hungaria, vendosi rroga të njëjta me Republikën Federale Gjermane. Sigurisht që është e kushtueshme, jo e lehtë, por është e detyrueshme nëse do të mbash një sistem shëndetësor në shërbim të qytetarëve.
Kurse ju u tallët, i përdorët për paradë, për të mashtruar, për të maskuar krimin tuaj të shëmtuar, me të cilin ju jeni përgjegjës për vdekjen e mbi 20 mijë shqiptarëve nga Covid, ngjitjen e Shqipërisë në 3-4 vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë”, u shpreh Berisha.