Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur i keqardhur për marrëdhëniet e tij me ish-kryetarin e PD, Lulzim Basha.
Në një intervistë në “Zonë e Lirë”, Berisha tha se është e pamundur të shohësh se si një njeri i shkolluar mund t’i lejojë vetes veprime totalitariste të paimagjinueshme
Pyetje: A ke reagim për atë që thonë; e rrite dhe e vrave Lulin, por përjetësove Ramsin?
Berisha: Kam një keqardhje të madhe, s’e mohoj këtë. Kam keqardhje të madhe për faktin se së pari ai tregoi mungesë të plotë të integritet politik. Kështu vepron politikani. Së dyti është e paimagjinueshme se si një njeri i shkolluar mund t’i lejojë vetes veprime totalitariste të paimagjinueshme.
I pyetur nëse do t’i largojë nga partia ata që i dolën kundër, ish-Kryeministri e mohoi diçka të tilla dhe theksoi se Partia Demokratike duhet të jetë e bashkuar.
Arian Çani: U riktheve në qeli dhe hoqe dyert e blinduara, a do ta lësh derën kryesore të blinduar për mbështetësit e Lul Bashës?
Sali Berisha: Dera e blinduar e hequr mund të mbetet diku si instalacion por ato dyer nuk blindohen më kurrë.
Arian Çani: Tani që u riktheve në seli, a e ke të qartë se një parti e rithemeluar nuk e ka luksin të mbajë akoma brenda saj edhe ata që të futën “thikën pas shpine”, madje as ata që të hodhën gaz lotsjellës në shtëpinë tënde në 8 Janar?
Sali Berisha: Këtu nuk jam dakord. Një parti e rithemeluar do të thotë konsolidon diversitetin, lirinë e mendimit. Ajo që ndodhi ishte një zhvillim brenda familjes dhe duhet trajtuar si e tillë. Asnjeri nuk përjashtohet.