Opozita Berisha: Kemi hyrë në fushën e betejës, 12 nëntori protesta më e...

Berisha: Kemi hyrë në fushën e betejës, 12 nëntori protesta më e fuqishme që ka njohur ndonjëherë Shqipëria

Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se “PD-ja ka hyrë në fushën e betejës” gjatë një takimi me krerët e degëve të qarkut Tiranë,

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha ka theksuar se “shqiptarët presin nga PD-ja dhe nga opozita shqiptare shpëtimin nga kjo klikë”, që sipas Berishës “kanë vendosur monizimin më të shëmtuar në Shqipëri”.

“Ne sot kemi hyrë në fushën e betejës. Duhet të kuptohemi, të gjitha përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë përpjekje për t’u ngritur në këmbë, për të dëshmuar veten tonë si opozitë e vërtetë, si PD e rithemeluar. Tani, ne vijmë në fillimin e betejës. Vijmë në fillimin e betejës sepse shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo që janë presin nga PD-ja, opozita shqiptare, shpëtimin nga kjo klikë, nga ky njeri i cili ka vendosur monizmin më të shëmtuar në Shqipëri. Monizmi i tij sot qëndron në rrafshin e shtetit ligjor, disa shkallë më poshtë se monizmi në Vietnamin socialist në të cilin Partia Komuniste është forcë udhëheqëse hegjemone me kushtetutë. Pra nuk është pluralizmi, siç thotë kushtetuta jonë, por është monizmi, por shtetin ligjor ata e kanë 4 shkallë më në rregull seç e kemi ne, në këtë situatë katastrofave”, tha Berisha.

Berisha tha se kryeministri Rama duhet të largohet dhe këtë sipas tij e kanë thënë me mijëra herë shqiptarët, por tani duhet shndërruar në realitet kjo moto sipas kreut të PD-së.

“Që Edi Rama duhet të largohet nga pushteti e kanë thënë mijëra herë shqiptarët, por tani ka ardhur koha që ta shndërrojmë në realitet këtë moto. Nuk mund të qëndrojë në pushtet një njeri i cili me firmë dhe vulë vjedh qindra milionë euro taksapaguesve shqiptarë. Nuk mund të qëndrojë në pushtet një kryeministër që fluturon, udhëton me çarter 137 herë, dy herë më shumë se presidenti i vendit më të fuqishëm në botë dhe u thotë qytetarëve të shtetit të vet sikur të ishin dele, se unë e bëj për të promovuar avionin e ‘Air Albania’, paçka se avioni çarter ka koston, nga 100 deri në 300 mijë dollarë. Paçka se shkon nga Tirana në Nju Jork, dhe nga Nju Jorku në Tampa, Florida, për të parë me 5 mijë euro biletën me çarter. Dhe u thotë pastaj, se kjo më kushton sa gjysma e biletës biznes klas. Nuk ka njeri në botë që të tallet me qytetarët e vet, siç tallet ky. Nuk ka, nuk mund të ndodhë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se data 12 nëntor do të jetë dita e protestës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria dhe kjo do të jetë një kohë protestash.

“Kemi caktuar datën 12 si ditën e protestës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, por kjo do të jetë kohë protestash. Mos të kemi asnjë iluzion. Nuk ka votim me Edi Ramën. Ky na sfidoi haptas në Peshkopi. Do ta bëjmë cunam. Në vend që si kriminel elektoral të ishte në burg, zotohet se prapë do të na i prekë votat.  Ky e ka shndërruar në fiktiv pluralizmin, në fiktive PD-në, në fiktiv parlamentin. Ju nuk mund imagjinoni se çfarë klubi i neveritshëm është parlamenti shqiptar. Ju nuk mund të imagjinoni se si funksionon pa asnjë ligj e rregull.  Ne shkojmë aty për hir të zgjedhësve, por aty është turp të futesh. Nuk respektojnë asgjë. Sillen si rrugeçër, si me procedurat dhe fjalorin. Ne shkojmë aty vetëm për zgjedhësit, qytetarët, me vështirësira të jashtëzakonshme. Ne dorëzojmë ligje dhe aty sikur nuk është parlament, por sikur është një klub i PS-së, parti krimi dhe droge. Kjo është e vërteta”, përfundoi Berisha.