Politika Berisha: Kërcënimet e SHBA nuk më lëkundin. Jam deputet e do ulem...

Berisha: Kërcënimet e SHBA nuk më lëkundin. Jam deputet e do ulem në vendin që më takon

Në një intervistë për RTV Ora, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh hapur se në shtator do të jetë në Kuvend. Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim ishte sot në selinë e PD-së për ti kërkuar Bashës që ish kryetari i PD, Sali Berisha të mos jetë në parlament në shtator.

Intervista në studion e lajmeve të RTV Ora me gazetares Beti Njuma.

Pse zonja Kim e bëri kaq hapur deklaratën e saj?

Sali Berisha: Unë nuk e di se cilat janë motivet e sulmit politik dhe kërcënimit që zonja Kim i lejon vetes të bëjë, por unë u them shqiptarëve se asgjë nuk lëkund Sali Berishën në përmbushjen e misionit të tij të mbrojtjes së interesit shqiptar në parlamentin e Shqipërisë.

Thuhet se disa ambasadore do ta bojkotojnë seancën e kuvendit nëse paraqiteni ditën e parë? Keni ndonjë koment.

Sali Berisha: Nuk kam asnjë lidhje me protokollin e parlamentit. Unë jam deputet që do të ulem krenarish në vendin tim me një motivim më të madh se ndonjëherë tjetër, cili është vendimi që do të marrin ambasadorët është në tagrin e tyre.

Berisha: Yuri Kim, sulm të hapur politik ndaj meje. Fraza e barit nuk ka ardhur nga SHBA

Ish-kryeministri Sali Berisha, u shpreh se është i gatshëm të marrë çdo vendim nëse ka fakte që ai ka përdorur buxhetin e shtetit për të pasuruar familjen.

Berisha e quan ‘sulm të hapur politik” deklaratën e ambasadores së SHBA-së Yuri Kim bërë sot pas takimit me kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe i kujton se PD e Shqipëria është vend sovran dhe janë zgjedhësit që vendosin kush hyn në parlament e jo ajo.

Zoti Berisha deklaroni se zonja Kim ka dhunuar në mënyrë flagrante misionin e saj.

Padiskutim. PD është forcë sovrane. Shqipëria është vend Sovran. Askush nuk ka të drejtë mbi to, veç zgjedhësve shqiptarë të përcaktojë në parlament. Ai është një sulm i hapur politik.

SHBA është miku më i madh i Shqipërisë, dhe unë jam gati të marr çdo vendim nëse paraqitet një fakt i vetëm që të faktojë se Sali Berisha ka përdorur buxhetin e shtetit për të pasuruar veten, bashkëshorten e tij që ka 14 vjet që punon pa rrogë e asnjë shpërblim për fëmijët autikë, apo fëmijët e tij që kanë 8 vite që kntrollohen çdo muaj nga zyrtarët e Edi Ramës.

Është një deklaratë e cila nuk ka asnjë fakt, argument, dokument që mund të provohet, prandaj i jam drejtuar Gjykatës Korreksionale në Paris. Shpresoj që ajo të japë verdiktin e saj për shpifje.

Megjithatë deklarata e ambasadores amerikane është në sintoni me qëndrimin e DASH, vendimin e Blinken.

Sali Berisha: Pa diskutim. Nuk them se jo, por nuk besoj se DASH i ka dhënë frazën e barit, se është një frazë tipike e diktatorit. Nuk besoj se ka ardhur nga SHBA kjo frazë. Është frazë e shokëve të këtushëm.

Berisha rrëfen telefonatën me Bashën pas deklaratës së Yuri Kim

Ish-kryeministri Sali Berisha pranon se ka pasur një komunikim telefonik me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha pas takimit të këtij të fundit me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim mesditën e sotme.

Ish-kryeministri Sali Berisha i kujton jo vetëm ambasadores së SHBA-së Yuri Kim, por dhe Bashës se deputet nuk është zgjedhur as nga ambasadorja dhe as partia, por nga vetë populli shqiptar.

Berisha shtoi për gazetaren Beti Njuma se Bashën nuk po e vë në pozitë me qëndrimin e tij, e kundërta do ishte nëse do ndodhte ndryshe.

Pas deklaratës së zonjës Kim a keni kontaktuar me zotin Basha? A ju tha zoti Basha çfarë qëndrimi do të mbajë PD?

Sali Berisha: Në telefon. Zoti Basha as nuk më tha, as nuk i kërkova e as nuk më kërkoi. Qëndrimi im është i prerë. Unë jam në misionin tim të besuar nga qytetarët shqiptarë. PD nuk mund të bëhet kurrë parti e dhunimit të lirive e të drejtave të qytetarëve shqiptarë e as sovranitetit të saj e të vendit. Duke thënë këtë sërish ftoj cilindo përfaqësues të SHBA-së e çdo vendi tjetër të paraqesë qoftë dhe një fakt të vërtetë për ua por nuk ekzistojnë.