Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin parlamentar. I pranishëm është edhe kreu i partisë, Sali Berisha që e drejton këtë mbledhje. Në nisje ai ka mbajtur një fjalim ku u ndal te porti i ri i Durrësit, të cilin e konsideron si aferën më të madhe korruptive në historinë e Shqipërisë pas vitit 1990.
“Sado që përpiqen, në qoftë se e konverton me dollarin e sotshëm atë shpenzim [për ndërtimin e bunkerëve], ai mund të jetë 5, mund të jetë 8 miliardë dollarë të groposura të varrosura nga një paranojak në një kohë kur shqiptarët përjetonin urinë e zgjatur. Pas bunkerëve nuk ka vjedhje më të madhe se vjedhja me portin e Durrësit. Ne kemi denoncuar, e kemi dorëzuar edhe në prokurori dhe Gjykatë Kushtetuese, por kjo nuk ka të ndalur. Ky është një krim që nuk i është bërë ndonjëherë ndonjë vendi. Porti i Durrësit, i cili pa asnjë lloj vështirësie arrinte në 4 milionë tonë kapacitetin dhe ne lamë një tender të gatshëm për thellimin e tij gjer në ankorimin e anijeve 50 mijë tonëshe nga një kompani e fuqishme gjermane, porti i Durrësit është porti më natyral i Shqipërisë. Pse? Sepse është në distancën më të shkurtër për të gjithë mesin e Shqipërisë që është shumica e popullatës. Kjo është kosto. Kjo ka ndikim direkt në çmimin e çdo gjëje që importohet”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati hodhi akuza ndaj Ramës se për ndërtimin e portit të ri do të harxhohen 1.3 miliardë Euro ndërkohë që premtimi i kryeministrit ishte se nuk do të harxhoheshin para.
“Rama thoshte që portin e ri shqiptarët nuk do harxhojnë një qindarkë. Tani na del se shqiptarët do të harxhojnë 1.3 miliardë Euro për ndërtimin e portit të ri”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike përsëriti se për këtë çështje duhet të krijohet një komision hetimor parlamentar.
“Ne duhet të krijojmë një komision hetimor parlamentar. Kemi luftuar për të, janë bërë shumë veprimtari opozitare, por ne duhet të kërkojmë një komision hetimor parlamentar për të bërë transparencë deri në fund”, u shpreh Berisha.
Sipas ish-kryeministrit, as NATO nuk ra në kurthin e Ramës.
“NATO qëndroi e palëkundur. NATO vetë ka pasur vlerësime të qarta për portin e Durrësit pasi në mënyrë të përsëritur ushtritë e NATO kanë zbarkuar nëpërmjet portit të Durrësit si njësi ashtu dhe mjetet e tyre për manovra shumë të mëdha që janë zhvilluar në territorin e Shqipërisë qoftë në det, qoftë në Bizë”, u shpreh Berisha.