Politika Berisha kërkon zhbërjen e sistemit të drejtësisë: BE mos ta mbështesë. Kam...

Berisha kërkon zhbërjen e sistemit të drejtësisë: BE mos ta mbështesë. Kam prova për çdo diplomat të korruptuar

Sali Berisha ka kërkuar që ndërkombëtarët të hetojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe që Parlamenti Europian, Komisioni Europian e vendet partnere të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie të cilën ai e konsideron të kriminalizuar.

Në një konferencë me gazetarët, Berisha u shpreh se Komisioni i Venecias duhet të angazhohet për një rishqyrtim të këtij sistemi. Berisha citoi World Justice Project dhe tha se Shqipëria para reformës së drejtësisë ishte në vendin e 65, ndërsa pas saj, renditet në vendin e 110.

Sipas tij, kjo gjë tregon dështimin e reformës në drejtësi.

“World Justice Project gjen dëshmi flagrante të dështimit të reformës së drejtësisë dhe drejtësisë së re. Shqipëria para reformës së drejtësisë ishte në vendin e 65. Pas reformës në drejtësi dhe shndërrimit të drejtësisë në një degë ekzekutivi nga reforma e Xhorxh Sorosit, Shqipëria renditet në vendin e 110. Janë një seri vendesh si Nigeria, Kenia, Tunizia, Bangladeshi, të cilat renditen gjer në 25 vende më mirë se Shqipëria, kurse Kosova fqinje renditet 44 vende më mirë se Shqipëria. Në drejtësinë penale, Shqipëria renditej në vitin 2015, para reformës së drejtësisë, në vendin e 46. Pas shndërrimit të drejtësisë në degë ekzekutivi, Shqipëria renditet në vendin e 92. Ka humbur pra 46 vende.

Ky është një tregues dramatik, kjo është ‘pavarësi’ e mercenarëve të drejtësisë Dumani-Kraja apo fytyra e vërtetë e drejtësisë me Irena Gjokat e saj. Por jo më pak dramatike është ndërhyrja e qeverisë në drejtësinë penale. Në këtë kuadër, Shqipëria para reformës renditej në vendn e 62, kurse pas reformës sorosiane renditet në vendin e 106, duke pasur kështu shumë vende para, Vietnami, Banladeshin, Tunizinë, Kenian, Nigerinë, etj. Kurse Kosova renditet në këtë kontekst në vendin e 46. Pra, këto tregues dëshmojnë se drejtësia e re është një drejtësi e munguar për qytetarët shqiptarë. Është një degë ekzekutivi për narkoshtetin shqiptar.

Ndaj PD i bën thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian, vendeve partnere të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie të kriminalizuar, të kontrolluar në çdo qelizë të saj nga kreu i narkoshtetit Edi Rama dhe regjimi i tij. Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë dhe drejtësia të nxirret nga kthetrat e politikës dhe të shndërrohet në një sistem të varur nga ligji”, tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike iu rikthye edhe njëherë shpalljes së tij non-grata kur tha se e gjitha u bë për mbrojtjen e narkoqeveritarëve shqiptarë dhe diplomatëve të korruptuar ndërkombëtarë. Madje shtoi se kishte prova për çdo fjalë që thoshte.

“Besoj se për ju e çdo shqiptar, sot është bërë e qartë se shkaku madhor i shpalljes non-grata të Sali Berishës qëndronte në mbrojtjen nga ai të interesave kombëtare dhe denoncimit nga ai të korrupsionit të narkoqeveritarëve shqiptarë dhe diplomatëve të korruptuar ndërkombëtarë. Besoj se finalizimi i hetimit, ku nxori si akt të korrupsionit pasiv, mercenarët e Skapit nxorën pagesat që ime bijë ka bërë për mua nga burime 100 përqind transparente dhe të deklaruara në organet shtetërore për një vakancë të përbashkët, për një ndërhyrje shëndetësore, apo huaja për një proces gjyqësor ku ajo është palë, dëshmoi fytyrën e vërtetë të mercenarëve të Skapit dhe shkallën e korrupsionit transnacional të atyre që morën pjesë në këtë akt. Kjo drejtësi funksionon për shqiptarët dhe sot shqiptarët kanë drejtësi të munguar. I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë së SHBA të ndërpresë çdo ndihmë për struktura të inkriminuara në çdo qelizë dhe të kontrolluara fund e krye nga Edi Rama dhe krimi i organizuar në Shqipëri. Këto që them unë nuk mund të vlerësohen nga ato që thotë dikush tjetër. Ju keni të drejtë të më kërkoni fakte për këto, dhe unë disponoj fakte dhe dokumente zyrtare që janë të padiskutueshme”, tha Berisha.