Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se ka pasur një skenar të Edi Ramës dhe disa ndërkombëtarëve për të bërë President të Republikës, Lulzim Bashën në vend të Ilir Metës. Berisha tha se disa ndërkombëtarë e kishin pyetur pak muaj më parë se si e shihte Bashën si president.
“Erdhën më pyetën që se si e shoh unë Bashën, President. Ishin ndërkombëtarë. E tëra kjo me shkarkimin e Metës bëhet për të vendosur në krye simbolin e të gjitha ligësive në politikë. Nuk e them për besëprerjen. Besëprerja është tjetër. Ai është një njeri që nuk njeh asnjë lloj standardi.
Kjo bëhej që shpejt e shpejt të zgjidhej Lul Brava president. Unë nuk e përkraha. Pastaj Brava hapi fjalë se Rama do bëhej president dhe ai kryeministër. Bashkëpunëtorëve u thotë çdo ditë nga një gënjeshtër. U thotë bashkëpunëtorëve se Rama do shpallet “non grata”.
Nëse e sheh se dhe Basha ka bërë fushatën presidenciale për të dalë me këpucë të kuqe”, tha Berisha në një intervistë për Klan Neësë, ndërsa e konsideroi të papranueshëm shkarkimin e Metës.
“Në raport me drejtësinë, ky është procesi më i shëmtuar në 30 vite. Së pari, përpjekja për të shkarkuar Presidentin nga Edi Rama dhe për të marrë në dorë të gjitha pushtetet është përpjekja më antidemokratike dhe më e rrezikshme në këtë vend. Metën po e shkarkojnë për agjitacion e propagandë. Deklaratat nuk bënin tradhti kombëtare siç thotë Kushtetuta” – tha Berisha.