Në takimin që zhvilloi pasditen e kësaj të diele me kryetarët e degëve të Tiranës, të deleguar, kryetarët e FRPD në degë dhe kryetaret e Lidhjes Demokratike të Gruas, Sali Berisha tha se parlamenti do të ketë protestat më të fuqishme popullore rreth tij.
“Ti mohosh një opozite të drejtën e kontrollit, shkelmon mbi 620 mijë njerëz që kanë votuar kundër qeverisë. Ti mohosh një opozite legjitime, të drejtën e fjalës, shkelmon mbi 620 mijë qytetarëve që kanë votuar kundër qeverisë. Ti mohosh të drejtën për ti kërkuar mocion, faktikisht çfarë e shndërron parlamentin. E shndërron në një turp kombëtar. Sigurisht të gjitha këto bëhen që ne të bojkotojmë parlamentin dhe atëherë etiketa, apo akuza se këta bojkotojnë. Asnjë orë nuk e bojkotojmë, ua them unë këtu, ne ashtu siç është ashtu do të rrimë. Por parlamenti do të ketë protestat më të fuqishme popullore rreth tij.
Zgjedhësit e Tiranës dhe Shqipërisë do të vijnë të protestojnë. Pse do të protestojnë? Do të protestojnë për një parlament që respekton votën e 620 mijë shqiptarëve, që kanë votuar kundër Edi Ramës. Ndaj dhe qytetarët e Tiranës, demokratët e Tiranës janë të ftuar dhe kërkoj që të bëjmë çdo përpjekje për të qenë te parlamenti në çdo seancë. Ai është institucioni i krimit monstruoz kushtetues. Aty shkelmohet çdo seancë kushtetuta e vendit. Aty shkelmohen në çdo seancë të drejtat e 620 mijë shqiptarëve që kanë votuar kundër kësaj qeverie. Atëherë, duhet tu dalim zot. Atëherë duhet tu dalim zot”.
Besimplotë se revolucioni paqësor demokratik nuk do të njohë të ndalur, Sali Berisha theksoi se ky revolucion është paqësor, i mjeteve të mosbindjes civile, nuk është me armë. “Ne do të përmbysim këtë regjim, me mjetet të mosbindjes civile dhe në fund me votën e lirë. Ne nuk njohim formë tjetër pushteti. Kjo forcë politike nuk merr pushtet me dhunë”, tha kreu i PD mes të tjerash.
“Revolucion çfarë do të thotë? Do të thotë të jesh i zoti, i aftë, të reagosh, të ndërgjegjësosh dhe kapitalizosh pakënaqësinë. Ndaj dhe ne, misionar në çdo familje do të trokasim dhe me çdo zgjedhës do të bisedojmë. Protesta te parlamenti është protestë për t’i dalë zot votës tuaj. Është protestë për të mbrojtur rendin kushtetues. Unë kam besim të madh se, revolucioni ynë nuk do të njohë të ndalur. Asnjë ndikim të mos keni ju, nga ata të cilët unë e kuptoj, unë e kuptoj, kam mirëkuptim të plotë, se durimi i njerëzve ka arritur në kufijtë më të mëdha mosdurimi, por përsëri revolucioni ynë është paqësor, i mjeteve të mosbindjes civile, nuk është me armë. Ne do të përmbysim këtë regjim, me mjetet të mosbindjes civile dhe në fund me votën e lirë. Ne nuk njohim formë tjetër pushteti. Ne jemi Parti Demokratike, cilido të lexojë parimet e saj. Kjo forcë politike nuk merr pushtet me dhunë, jashtë çdo lloj koncepti. Nuk është formë ekstremiste, e pushtetit me dhunë. Nuk është forcë staliniste, fashiste, është forcë demokratike. Por përdor të gjitha mjetet demokratike dhe të mos bindjes civile që qytetarët tanë të votojnë të lirë. Ky është zotimi i ynë, kjo është fitorja jonë dhe ne do të fitojmë”, tha Berisha.