Ish-kryeministri Sali Berisha tha se kongresi i Partisë Socialiste ishte si kongresi i mafias.
“Ishte si një kongres i Cosa Nostra. Aty u caktuan killerët që do të lanin hesapet me kundërshtarët. Aty u përzgjodh skrapi, ata të cilët kanë pasur ndonjë vërejtje apo dyshim, duke e quajtur SPAK-un, si SPAK-u i partisë, u gjetën të zhgënjyer, në mënyrë të përsëritur”, tha Berisha në konferencë për mediat.
“Edi Rama, kreu i organizatës, u deklaroi se SPAK është vepër e PS-së. Është fëmija i saj, pjellë e saj dhe këtë ta dijë Shqipëria dhe bota. Në diktaturë institucionet quheshin si “armë” të partisë dhe diktaturës së proletariatit. Kreu i organizatës kriminale ngarkoi me detyrë “skap”-in e partisë. U tha se e do patjetër në burg Sali Berishën dhe në djall opozitën. Kuvende të tilla edhe Partia e Punës ka zhvilluar në 1948, 1956 dhe në vitet 1970, por kaq të paskrupullt jo, përpiqej të maskonte diçka”.
Berisha tha se vendimi më i rëndësishëm në kongresin e Partisë Socialiste ishte ligjërimi i narkoshtetit.
“Qytetarët prisnin nga kryeministri t’u thoshte se si do të përballohej rritja stratosferike e çmimeve, të ushqimeve naftës, ilaçeve… Një rritje e menjëhershme, jashtë gjitha shkaqeve reale, e diktuar tërësisht nga spekulimi dhe lidhja e spekulantëve me qeverinë. Nuk morën asgjë përgjigje…”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
“Vërtet kongresmenët u ulët mbi dengje kashte, vërtet rrahin gjoksin, apo përgjërohen për fshatarët apo për të tjerët, por e vërteta është se kongresi i tyre, në vend të lajmeve të rëndësishme për lehtësimin e dhimbjeve të përditshme të qytetarëve, i informoi ata se narkoshteti ka vendosur të ligjërohen produktet e krimit. Ka vendosur të ligjërojë kanabisin. Gjithçka u bë që të mbulohet me retorikë, me dengje kashte, flakët e inceneratorëve, të mbulohet kjo aferë, në të cilën Edi Rama dhe të tjerët dalin si organizatë kriminale”.