Ish-kryeministri Sali Berisha tha se sjellja e prokurorëve me të gjatë marrjes në pyetje në lidhje me protestën e 8 janarit ishte e rregullt, por përveç rasteve kur ai përmendte Edi Ramën.
“Sjellja e tyre ishte normale. Pavarësisht se unë konstatoja që kur kishte në deklaratën time momente politike kundër Ramës, ata nuk e pëlqenin këtë, rrudheshin, por unë prapë se prapë fjalën time do t’ua thosha. Ky është një proces që unë do t’u bëjë gjyqin atyre”, tha Berisha i pyetur nga gazetarët pasi doli nga Prokuroria e Tiranës. Më i ashpër, ish-kryeministri u tregua me organet e reja të drejtësisë, që sipas tij nuk mund të hetojnë korrupsionin qeveritar. “Ato janë seksione të partisë”, tha Berisha.
Berisha zbuloi edhe strategjinë që do të ndjekë pas protestës së 8 janarit. “Foltoret u mbyllën me kuvendin e 11 dhjetorit. Tani do të ketë takime të fuqishme me qytetarët, për përgatitjen e terrenit për protesta të fuqishme. Nuk mund të pajtohet ky popull me kufoma politike që u vjen era në të gjithë Europën. Nuk mundet ky popull të pranojë lidhje të tilla të tmerrshme me krimin, të gërshetuara, qeveri dhe grupi i Bashë bravës, etj. Do të ketë edhe tryeza në të cilat do të elaborohen mendime për fusha të ndryshme, probleme të ndryshme. Absolutisht selia do t’u kthehet demokratëve”, tha Berisha, por nuk dha një datë për ndonjë protestë të re.