Kryesore Berisha: Marrëveshjen e emigrantëve do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese

Berisha: Marrëveshjen e emigrantëve do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese

Sali Berisha tha që opozita do ta kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e qendrës së pritjes së azilkërkuesve në Shëngjin.

“Do të përgatitet teksti dhe do të dërgohet në Kushtetuese. Ne mendojmë se ka një shkelje serioze të kushtetutës, firma e Edi Ramës. Mendojmë se ka probleme serioze të të drejtave të njeriut, ndaj dhe duke mbajtur qëndrimin tonë negativ, opozita do t’i drejtohet gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen.

Ndërsa qëndrimi i Edi Ramës dhe Linda e parlamentit, është më antidemokratik, antiligjor, antikushtues që është mbajtur ndonjëherë. Beteja vazhdon pa kthim”, tha Berisha pas mbledhjes me një grup deputetësh të Partisë Demokratike në Kryesinë e Kuvendit.

Emigrantët në Kushtetuese, deputetët e Berishës kundër?

Diskutimet brenda mbledhjes së dy grupeve të deputetëve të Partisë Demokratike në selinë e Kuvendit, për çështjen e marrëveshjes së emigrantëve me Italinë, duket se kanë qenë fluide.

Vetë Gazment Bardhi e pranoi para gazetarëve se ka pasur qëndrime kundër dërgimit të paktit Rama-Meloni për emigrantët në Gjykatën Kushtetuese.

I pyetur nëse ka pasur një ndarje në qëndrime mes grupit të deputetëve që mbështesin Sali Berishën dhe kolegëve që qëndrojnë në krah të tij, Bardhi tha se “nuk ka pasur një ndarje të tillë”.

“Qeveria ka propozuar në Kuvend ratifikimin e protokollit me Italinë. Duke e vlerësuar Italinë një vend mik, grupi ynë parlamentar ka patur një diskutim të përgjegjshëm lidhur me këtë protokoll dhe bazuar në një analizë që ekspertët tanë ka kryer, ku konstatohet se ky protokoll bie ndesh me Kushtetutën, grupi parlamentar i PD ka vendosur që përmbajtja e protokollit mes dy qeverive ti nënshtrohet kontrollit nga GJK. Ka pasur kolegë që kanë gjykuar se nuk do të duhet çuar në Gjykatën Kushtetuese. Në përfundim secili ka mbajtur qëndrimin e tij dhe të gjithë ramë dakord që rruga më e drejtë është që kjo marrëveshja të çohet në gjykatën kushtetuese. Disa kolegë kanë mbajtur një qëndrim ndryshe por gjatë votimin nuk ka pasur kundërshti”, tha ai pas mbledhjes së grupit.

Marrëveshja

Sipas marrëveshjes së firmosur më 6 nëntor në Itali, vendi fqinj do të ngrejë në Gjadër të Lezhës një qendër për pritjen e deri në 3 mijë refugjatëve në muaj, gjatë kohës që shqyrtohet kërkesa e tyre për azil.

Refugjatët do të hyjnë në Shqipëri përmes portit të Shëngjinit ndërsa shpenzimet e gjithë këtij operacioni, do të mbulohen nga qeveria italiane. Për këtë vendim, asokohe Kryeministri Rama tha se Shqipëria ia kishte borxh Italisë, për gjithçka ka bërë për emigrantët shqiptarë në vite. Para se të hyjë në fuqi, marrëveshja do të kalojë më parë në Kuvend.