Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas firmosjes së marrëveshjes për bashkëpunim në zgjedhjet lokale me Partinë e Lirisë, deklaroi se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara prej tij kanë çuar në fitore.
“Marrëveshjet, kur ishte Basha, kanë pasur vetëm humbje. Me Berishën kanë qenë vetëm fitore. Realiteti dhe dëshmia më flagrante është “incidenti” Basha”, u shpreh Berisha.
Në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes, Berisha sulmoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, për të cilin tha se do të “arkivohet në plehrat e Sharrës”.
“Për t’i dhënë Tiranës një parlament të fuqishëm të kryesuar nga qytetarët dhe politikanët të sprovuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Por me fjalë të tjera për të arkivuar në mënyrë figurative në plehrat e Sharrës, figurën më obskure që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i cili në çdo vend dhe çdo shtet ligjor me çdo ligj i takon të jetë në qeli dhe jo në garë elektorale. Me vjedhjet e tij monstruoze, me shndërrimin e Tiranës në njërin prej 10 qyteteve më të pista të botës, Erion Veliaj ka dhjetra motive jo të endet rrugëve të Tiranës si një mashtrues, por të shkojë atje ku e ka vendin. Jam i bindur se qytetarët e Tiranës do flasin për të gjitha këto dhe do godasin direkt, Edi Ramën”.
Berisha foli edhe për Këshillin Bashkiak të Tiranës, post për të cilin një ditë më parë Ilir Meta tha se i ka propozuar PD-së emrin e kandidatit për kryetar të këshillit bashkiak.
Berisha sulmoi kryetaren aktuale të Këshillit Bashkiak të Tiranës, të cilën e konsideroi si “hije”.
“Nuk mund të rri pa thënë dy fjalë për parlamentin inekzistent të të Tiranës që drejtohet nga një zonjë që po të kishte një mbiemër të dytë mund ta quani zonjën Rovina hije. Për të, qytetarët nuk ekzistojnë, nuk e ka dëgjuar kush kurrë të mbrojë një interes të vetëm, ajo sikur është binjake me hijen. Merr fund kjo. Tirana me 800 mijë banorë do ketë parlamentin e vet të fuqishëm. Por marrëveshja është historike sepse kjo marrëveshje angazhon forcat tona politike për primaret dhe konsolidimin e tyre në mënyrë që të marrë fund kryetarokracia. Sot referendumi dhe demokracia direkt është absolutisht dhe mbetet ndoshta mjeti më kryesor për të rikthyer demokracinë në Shqipëri që është në agoni të plotë dhe ka zbritur nën nivelet e Kirgistanit”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë, Ilir Meta theksoi se “ka përfunduar koha kur rezultati i ndeshjes trukohej nga Edi Rama para se ajo të fillonte”.
“Kjo është një ndeshje e vërtetë, e pakompromis. Është ndeshje ekzistenciale për vendin tonë, duke parë pasojat e rënda të shpopullimit. Është ndeshje për sot dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Theksoj se referendumi do të jetë mjeti i çdo qytetari për të marrë në kontroll të ardhmen e vendit dhe familjes së tij. Koha e “bunker-bashkive” ka përfunduar një herë e përgjithmonë. Shikoni se si kanë falimentuar bashkitë që i kishte të gjitha nën kontroll”, tha Meta.