Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shprehur sërish mbështetjen e tij për protestën e pedagogëve.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha nënvizoi se pedagogët, por edhe studentët, duhet të ngrihen dhe t’i japin përgjigjen e merituar regjimit monist të kryeministrit, Edi Rama.
“Unë, jam sot këtu gjithashtu, për të shprehur dhe për të rikonfirmuar mbështetjen e plotë, për suksesin e vërtetë të Lëvizjes Sindikaliste Universitare. Sot, pedagogët e universiteteve dhe studentët, protestojnë dhe kanë bojkotuar mësimin. Me këtë rast, i garantoj se PD mbështet të gjitha kërkesat e tyre dhe merr përsipër absolutisht adresimin me përparësi të plotë të çdo kërkese që kanë paraqitur deri sot, madje edhe përmirësime të tjera.
Nuk mund të ketë asnjë dyshim se rrogat e pedagogëve nuk mund të jenë asnjëherë më të ulëta se ato të Prishtinës.
Se buxheti shkencor do të shumëfishohet dhe se çdo student do marrë të paktën 100 euro subvencion në kushtet e shtrenjtimit të jetesës. Se liria akademike, se komisarët, kancelarët famëzinj dhe anëtarët militantë të bordeve, do largohen nga universitetet. Ftoj edhe njëherë të rinjtë të ngrihen në lartësinë e idealeve, shpirtit, dhe guximit të tyre dhe të vazhdojnë protestat dhe t’i japin përgjigjen e merituar regjimit monist të Edi Ramës”, theksoi kryedemokrati.