Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha foli sot sërish për çështjen McGonigal.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë në selinë blu, Berisha tha se Shqipëria ndodhet në një moment të jashtëzakonshëm, duke shtuar se Rama dhe ish-zyrtari i FBI-së bënë një grusht shteti duke u përpjekur të eliminonin pluralizmin politik.
“Mblidhemi sot në një moment të pashembullt, të jashtëzakonshëm, në një kohë kur për shkak të akteve të mirëfillta anti-shqiptare, anti-demokratike të Edi Ramës Shqipëria ndodhet në qendër të një cikloni të fuqishëm mediatik botëror.
Të marrësh përsipër një akt të tillë, të shndërrosh në aset me korrupsion një njeri që kurrë se meritonte atë detyrë por që kishte një pozicion të rëndësishëm në sigurinë e SHBA-ve dhe vendeve të lira, do të thotë kryen një akt armiqësor të përmasave. Tejkalon çdo lloj limiti apo linje.
Vizitat private në Shqipëri duke qenë në detyrë, takimet e fshehta me Edi Ramën, angazhimi i tij me pagesë për të sharruar shtyllën kryesore të rendit demokratik që është pluralizmi, për të shkatërruar opozitën për hir të pushtetit të Edi Ramës është krim i përmasave makabër. Rama përveç aktit ndaj vendit mik, kërkon të instalojë monizmin. McGonigal është në një hetim të gjithanshëm në SHBA, u përket autoriteteve amerikane të qartësojnë gjer më një lidhjet e tij me Shestakov, Deripaska e të tjerë.
Por një gjë është e sigurt, lidhjet e tij me Edi Ramën janë më të turpshmet në historinë e këtij vendi.Veprim i barabartë me një grusht shteti, bashkëveprim i shëmtuar kundër SHBA-së, Shqipërisë, NATO-s e vendeve të lira. McGonigal dhe ortaku i tij janë angazhuar haptaz në veprimtari kriminale anti-shqiptare, qëllimi i tyre ka qenë asgjësimi i opozitës shqiptare. Ajo që është publikuar e sigurtë është se me 4 Janar të 2018-ës ish oficeri i Sigurimit të Shtetit Agron Neza i dha atij informacione për kompaninë lobiste të PD-së. Po ky oficer i dha atij përsëri informacione të reja për lobimin e kësaj kompanie me 16 Janar 2018. Nëse këto informacione, biznesmenit të lidhur si mishi me thoin, ja dha direkt zyra e kryeministrit Edi Rama.
Fuqia e institucionit më të fuqishëm në SHBA u përdor për qëllime private nga Edi Rama duke korruptuar shefin e kundër zbulimit të FBI. Mc Gonigal u përdor gjithashtu edhe për afera të tjera korruptive, për licensa. Ai u shpërblye me qindra dhe miliona euro.
Ai u angazhua nga Rama për të ndihmuar miqtë e tij të ngushtë Vangjush Dakon, Tom Doshin të shpallur non grata nga DASH. Gjithë këto zhvillime dëshmojnë se mafia në pushtet përbën pushtetin më të rrezikshëm. Mafia në pushtet pëbën një pushtet të rrezikshëm dhe për SHBA-në, është pra një rrezik madhor jo vetëm për shqiptarët por edhe SHBA-në siç fakton rasti McGonigal. Por ju garantoj ju se si McGonigal ka edhe në Europë, fenonemi nuk është i izoluar.
As në qëllimin politik, nuk është përpjekur vetëm ai për shkatërrimin e PD-së në vend. Për shkatërrimin e saj janë angazhuar haptaz me të gjithë amoralitetin, me të gjithë abuzivitetin edhe të tjerë. Për të njëjtat motive korruptive, mafia në pushtet e Tiranës nuk njeh asnjë normë e moral. Kam denoncuar këtu para jush se kjo mafie e rrezikshme përdor çdo formë korrupsioni, ky është laboratori ku eksperimentohen të gjitha format”, tha Berisha.