Politika Berisha mbron Metën: Rama në burg të paktën 37 vite

Berisha mbron Metën: Rama në burg të paktën 37 vite

Ish-kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se tani në Shqipëri ka kryengritje dhe se Edi Rama nuk mundet t’i shpëtojë dot drejtësisë së saj.

Ai shtoi se kreu i qeverisë e ka vendin në burg për shkeljet që ka bërë.

“Kjo është kryengritje popullore që do të shlyejë nga faqja e dheut jo këtë skizofren që nuk e ka asgjë, por asgjë nuk i reziston dot kësaj kryengritjeje. Edi Rama do kalbet, të paktën 37 vjet në burg me vjedhjet dhe aktet e tij antikushtetuese. Minimumi sipas ekspertëve i takon një 37-vjeçar në burg, ndaj i bën të gjitha këto. Ai e di mirë se ora e drejtësisë po afron për të.

Tani ai është një armik i egër i lirisë, i shëndetit, i interesit kombëtar, i këtij kombi. Po kryen një puç në parlament ndaj Presidentit të Republikës, ndërkohë që ekspertiza ndërkombëtare shpalli se dekretet e tij janë në fuqi. Këta narko-horra duhet të fshihen nga faqja e dheut”, tha Bersiha për mediat.

Ai komentoi edhe krijimin e komisionit hetimor për presidentin Meta.

“Është një akt puçist, i mirëfilltë ndaj këtij vendi që kreu i meduzës, bashkë me narko-horrat ndërmori ndaj kushtetutës, institucionit të Presidencës. për gjersa ekspertiza ndërkombëtare shpalli se ato dekrete s’mund t’i shqyrtojë askush tjetër përveç gjykatës kushtetuese, as narko-qeveria e kupolës së mafies, as narko KQZ e Denar Bibës, po iu them shqiptarëve ata po bëjnë hapa të qarta të grushtit të shtetit dhe do përballet Edi Rama”, vazhdoi ai.

Berisha theksoi në fund se kjo është një kryengritje popullore e cila do ta fshijë nga faqja e dheut Ramën. “Unë flas për vrullin e hovin e kryengritësve, taktikat i përcakton udhëheqja e kryengritjes. Kryengritja sot është më e fortë se kurrë”, tha ish-kryeministri.