Sali Berisha, në një deklaratë për mediat sot, iu kthye çështjes McGonigal, duke theksuar se ai ka bashkëpunuar me Ramën për një puç ndaj opozitës.
“Këto ditë, mediat e mëdha në SHBA dhe kudo në botë, janë hapur përsëri me superskandalin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI për Nju Jorkun, McGonigal, i cili siç dihej, ndiqej penalisht për dy dosje. Në Nju Jork ai ndiqej për dosjen ruse dhe në Uashington për dosjen shqiptare. Dy ditë më parë, Charles McGonigal pranoi fajësinë e tij se ka shkelur betimin, është korruptuar dhe ka tradhtuar FBI-në, pasi duke shfrytëzuar detyrën e besuar, mbikëqyrjen e oligarkut rus nën sanksione, Oleg Deripaska, të lidhur direkt me Putinin, ai ka bërë të kundërtën. Ai në një akt të shëmtuar, është korruptuar me para nga Deripaska, është angazhuar kundrejt shumave të majme për heqjen e sanksioneve të Deripaskës, dhe për hetimin për vendosjen e sanksioneve ndaj rivalit të tij, një biznesmeni rus”, tha Berisha.
“Në dosjen e Nju Jorkut, McGonigal ka pranuar fajësinë edhe për akuzën për larje parash dhe gjykatësi i Nju Jorkut ka shpallur se në dhjetor të këtij viti do të njoftojë vendimin që për këto dy akuza shkon nga 5 deri në 20 vite. Mediat lajmërojnë se avokati i McGonigal po punon me prokurorin e Uashingtonit për pranimin e fajësisë edhe për dosjen shqiptare. Veprimtarinë e tij korruptive kriminale, përveç Nju Jorkut, McGonigal e ka zhvillur në Shqipëri në bashkëpunim me Edi Ramën, këshilltarin e tij privat, Dorian Duçka, Agron Nezën, ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe persona të tjera. Veprimtaria kriminale antiligjore e McGonigal, Duçkës, Nezë dhe të tjerëve, në Shqipëri është pesëvjeçare dhe është e zhvilluar në këto drejtime.
-Drejtimi i parë në skemën e Deripaskës por me pasoja tragjike për një komb anëtar të NATO-s. Angazhimi i tij në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën për shkatërrimin e opozitës shqiptare, për një puç antikushtetues ndaj opozitës dhe presidentit të Republikës si kundërshtar i Edi Ramës.
-Vendosja e gjobave shumëmilioneshe ndaj bizneseve që ishin nën sanksione duke i mashtruar se mund t’i hiqnin nga lista përkundrejt pagesave.
-Ndërhyrje korruptive për heqje licence nafte dhe dhënien te një kompani ruse, të kontrolluar mesa duket nga Deripaska”, tha Berisha.