“Të mos harrojmë se me 14 maj janë vërtet zgjedhjet për qeveritarët vendore, por me 14 maj janë zgjedhjet e jetës sonë. Më 14 maj, çdo dibran dhe çdo shqiptar, me votën e vet, vendos, firmos fatin e Shqipërisë, vendos të ardhmen e Shqipërisë”.
Kështu u shpreh Sali Berisha këtë të shtunë teksa ishte në Dibër, aty ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ismail Uka.
Dibra po pakësohet dhe shkretohet me një shpejtësi të rrufeshme, tha Berisha më tej.
“Po kështu Shqipëria. Kurrë ndonjëherë në historinë e këtij kombi, nuk janë larguar në 8 vite, 35 përqind e shqiptarëve. Asnjë luftë, asnjë betejë, asnjë fatkeqësi, asgjë nuk ka përzënë shqiptarët nga trojet e tyre sa ka zënë ky regjim në 8 vite.
Po pse, çfarë ndodh?
Në rrafshin politik ka ndodhur një mynxyrë e vërtetë. Në Shqipëri është vendosur monizmi. Edi Rama kontrollon sot çdo pushtet në vend, përveç bashkisë në Shkodër. Edi Rama kontrollon sot 10 përqind më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 1991.
Rama kontrollon çdo pushtet dhe i përdor ato në shkelje flagrante të ligjeve dhe të Kushtetutës. Në rast se ju bëni këtë analizë, atëherë për çdo shqiptar është e qartë, monizmat në histori kanë qenë dramat më të mëdha të kombeve.
Ky monizëm i dytë po na përzën nga trojet. Po në përzë në një mënyrë të pamëshirshme.
A do vazhdojmë ne ta braktisim këtë vend, i cili ka çdo pasuri, i cili ka kapacitete dhe pasuri për 10 herë më shumë shqiptarë sa ç’janë sot.
A është kjo një thirrje që vjen nga thellësitë e kësaj toke? Sikur Shqipëria të ishte zë, a nuk do ushtonte në katër anët me thirrjen: pse po braktisni, pse po largoheni?
Nëse në 8 vite u larguan 1 milionë, çfarë do ndodhë me ne pas 8 vitesh të tjera, pas 16 vitesh? Si mund të pranojmë ne një situatë të tillë? A duhet ne të blejmë dhe shesim vota apo duhet të përzëmë këtë regjim monist, i cili po sillet me shqiptarët më keq se çdo pushtues. I cili po përzënë shqiptarët sa asnjë pushtues tjetër”, tha Berisha.