Kryesore Berisha: Më 23 dhjetor, protesta më e fuqishme kombëtare që ka njohur...

Berisha: Më 23 dhjetor, protesta më e fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria

Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se data 23 Dhjetor 2024 do të shënojë mosbindjen më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria deri më sot.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë me gazetarët, ish-Kryeministri Berisha ju ka bërë thirrje të gjithëve të marrin pjesë në këtë mosbindje civile. Ai thotë se kjo protestë do të ketë fuqinë e elektroshokut për atë që e quan “regjimi narkodiktatorial i Edi Ramës”.

Sali Berisha: Diktatura rrëzohet ose me lëvizje të armatosur siç dje me diktatorin gjakatar Bashar Al Asad, ose me mosbindje civile. Opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën kryesore, të vetme për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori dhe diktatura e tij që kërkon të marrë njëlloj si Lukashenko mandatin e katërt, të grabisë mandatin e katërt.

Ndaj dhe data 23 dhjetor do të jetë dita e mosbindjes më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria gjer sot. Modalitetet e kësaj mosbindje do përcaktohen nga grupi përgjegjës, por opozitarët dhe demokratët nga mbarë Shqipëria dhe kudo që ndodhen në botë, duhet të bashkohen me 23 në një mosbindje civile që duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Edi Ramës.

Kujtojmë se protesta e mëparshme e opozitës ishte në 27 nëntor, ku qindra qytetarë bllokuan rrugët e Tiranës, për të vënë në zbatim të ashtuquajturën mosbindje civile.

Berisha ka premtuar se protestat e opozitës do të vijojnë deri në zgjedhje, ku nga mazhoranca kërkohet vendosja e qeverisë teknike, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.