Politika Berisha, mesazh urimi për Vitin e Ri: 2023-shi do të jetë viti...

Berisha, mesazh urimi për Vitin e Ri: 2023-shi do të jetë viti i Revolucionit Demokratik

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nëpërmjet një video-mesazhi ka uruar shqiptarët me rastin e Vitit të Ri 2023. Kreu i demokratëve tha se viti 2022 ishte viti i opozitës. Për këtë ai falenderoi të gjithë qytetarët dhe simpatizantët e PD.

Në mesazhin e tij, Berisha thekson se kryeministri Edi Rama është më i izoluar se kurrë. Berisha bëri thirrje për angazhim dhe zotim që “viti 2023 do të jetë viti i Revolucionit Demokratik dhe i shpëtimit të Shqipërisë”. Në fund, kryedemokrati ngriti një dolli për të gjithë qytetarët dhe tha se vendi ynë sot ka nevojë më shumë se kurrë për dashurinë dhe besimin tonë.

Mesazhi i Berishës:

Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, shqiptare dhe shqiptarë kudo që jeni sot. Në prag të Vitit të Ri, dëshiroj t’ju uroj përzemërsisht Gëzuar Vitin e Ri 2023, kudo që festoni sot, në vatrat tuaja familjare, në lokale, klube, udhëtime, spitale, institucionet e vuajtjes së dënimit. Gëzime dhe të mira të keni gjithmonë.

Sot ne festojmë, japim dashuri për njëri-tjetrin, mirënjohje, respekt, admirim, por në mënyrë të pamohueshme jemi të vetëdijshëm se çdo i ri, çdo student, çdo biznesmen, çdo punëtor, çdo punonjës, çdo fermer që jeton me djersën dhe mundin e tij përballojnë një vit ciflitës gjatë vitit 2022.

Një vit të cilin tiparet më kryesore të shkruara në muret e kohës do mbeten, së pari vendosja e monizmit të plotë pas 31 vitesh në Shqipëri bazuar kryekëput në krimin, drogën dhe vjedhjen e votës.

Së dyti viti 2022 është viti i vjedhjes deri në palcë i shqiptarëve nga qeveria e tyre. Edi Rama ka tre ditë që trumbeton se do të shpërndajë pas Vitit të Ri 80 milion Euro. Kjo është një pilulë elektorale, por e vërteta është së çdo shqiptar për shkak të vjedhjes që është bërë në bordet e qeverisë shpenzoi për ushqimet dhe ilaçet e tij, më shumë se një rrogë gjatë vitit 2022.

Ndaj dhe minimum i korrektesës, i njerëzisë në këtë rast kërkonte një rrogë të 13-të, një pension të 13-të, një ndihmë ekonomike të 13-të, por këto nuk mund të ndodhin sepse qindra milionë vidhen për të fryrë kontot bankare të Edi Ramës dhe qeveritarëve tanë. Qindra e qindra milionë shpërdorohen, abuzohen. Siç rezulton në 9 muaj janë vjedhur 122 miliardë lekë, janë vjedhur pra 1.3 herë më shumë se fondi i përgjithshëm i pagave të Shqipërisë.

Por viti 2022, mund të konsiderohet viti i opozitës ndaj dhe unë dua të uroj më përulje të madhe bazën e Partisë Demokratike. Ata burra dhe gra të cilën me intuitën e tyre kuptuan se çfarë rreziku ekzistencial i kërcënohej Partisë Demokratike dhe rendën me guxim, vendosmëri në mbrojtje të saj.

Dua me përulje të uroj dhe falenderoj të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, të cilët I dhuruan shqiptarëve në një moment kritik për demokracinë e tyre Primaret. Mbollën përsëri votën e lirë. Rikthyen votën e lirë në Partinë Demokratike me vendosmërinë më të madhe për ta rikthyer atë në mbarë shoqërinë Shqiptare.

Unë dua të falenderoj në mënyrë të pakufijshme ata qindra e mijëra qytetarë shqiptarë, demokratë, socialistë, pa parti të cilët mbushën gjysmën e dytë të këtij viti sheshet dhe rrugët e Tiranës dhe dëshmuan se ata janë zotërit e vërtetë moral të këtij vendi. Kam një mirënjohje të veçantë për të gjithë ndjekësit, simpatizantët, fansat e mi në rrjetet sociale, në veçanti ata të TikTok të cilët me atë mbështetje elektrizuan rininë dhe e vërteta është elektrizuan edhe Sali Berishën.

Pra viti 2022 ishte një vit që ngriti në këmbë opozitën shqiptare. Një mirënjohje të pakufijshme për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët e ndoqën me simpati, me dashamirësi ketë zgjim të fuqishëm të opozitarizmit në Shqipëri. Edi Rama sot është më i izoluar se kurrë. Ai kudo që shkon pritet me ‘Rama ik’, ndërmer dhe në prag festash akte çnjerëzore. Nxjerr familje, burra, gra, të moshuar, fëmijë nga banesat e tyre vetëm e vetëm që këto akte t’i mbulojë me atmosferën e festës, por këto le t’ia lejmë vitit 2022 dhe të angazhohemi e zotohemi ne, se viti 2023 do të jetë viti i Revolucionit Demokratik, viti i shpëtimit të Shqipërisë.

Ndaj dhe unë dua të ngre këtë dolli për të gjithë ju kudo që ndodheni sot, gëzime, shëndet, shpresë dhe suksese në realizimin e aspiratave dhe ëndërrave tona Gëzuar! Një shëndet ta ngrejmë sot për Shqipërinë e cila sot ka nevojë më shumë se kurrë për dashurinë dhe besimin tonë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Flamurin e saj, bijtë dhe bijat e saj kudo që ndodhen sot! Gëzuar!