Partia Demokratike do të nisë protestat pas një përgatitjeje psikologjike, politike dhe të gjithanshme. Kështu iu përgjigj Sali Berisha interesit të gazetarëve kur u pyet se kur do të nisin protestat e opozitës, por pa dhënë një datë të saktë.
Sipas tij, protestat do të jenë të një lloji tjetër dhe jo si ato që kemi parë deri më tani.
“Është shumë e qartë që PD do të nisë protestat, por përpjekjen e opozitës duhet ta marrim si një proces. Nuk është kjo një protestë që do fillojë sot do rrijë disa orë e do shpërndahet , por do të jetë një protestë e një lloji tjetër kërkon përgatitje psikologjike, politike, të gjithanshme dhe kur të fillojë nuk duhet të ndërpritet, sepse thelbi i përpjekjes së opozitës është mbrojtja e votës së lirë të shqiptarëve, rikthimi i asaj të drejte dhe të tjerave”.
Ai tha se interesi i shqiptarëve për të drejtat dhe liritë sfumohet nga problemet e dhimbshme por opozita do t’i bindë ata.
“Qytetarët përballen sot me probleme shumë të dhimbshme që ia sfumojnë interesin për liritë por ne jemi këtu për t’i bindur ato se të gjitha këto që ndodhin kanë emërues të përbashkët mungesën e lirirve të tyre. Nëse opozita heq dorë nga kjo firmos për të qenë fasadë e një regjimi që bazohet mbi krimin e drogën”.