Sali Berisha e vijoi në Fier fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 majit aty ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Evdar Kodheli.
Berisha u shpreh se Përpara me Ramën do të thotë përpara drejt varfërisë, skamjes, boshatisjes.
“Për 5 ditë ne jemi para kutive të votimit, jemi para zgjedhjes më të rëndësishme që kemi bërë ndonjëherë në 32 vite, zgjedhjes midis regjimit të Edi Ramës, ftesës së tij përpara, por përpara me Edi Ramën do të thotë fuqizim i të gjitha pushteteve në këtë vend, në duart e tij. Dhe ky do të ishte një gabim fatal për çdo zgjedhës, votues, pavarësisht nga bindjet politike.
Pushtetet e përqendruara në një dorë, në tërë historinë e botës dhe në historinë e Shqipërisë, kanë sjellë fatkeqësi, drama, mjerime, nuk kanë sjellë kurrë begati, mirësi për qytetarët. Ne e kemi provuar më keq se gjithë të tjerët gjatë diktaturës staliniste, por ne po e provojmë edhe gjatë këtyre 8 viteve.
Përpara me Edi Ramën do të thotë, përpara drejt varfërisë, skamjes së frikshme e cila rritet nga viti në vit. Përpara me Edi Ramën do të thotë përpara drejt çmimeve të larta, të cilat vetëm nga rritja me bordet e tij, nga viti 2021 deri në 2022 gjobitën çdo qytetar shqiptar me 430 mijë lekë shpenzime më shumë për ushqimet.
Përpara me Edi Ramën do të thotë rroga të ngrira, varfëri e frikshme në rritje. Përpara me Edi Ramën do të thotë boshatisje e qyteteve dhe fshatrave tona. Do të thotë mbyllje shkollash, shkatërrimi i sistemit shëndetësor, do të thotë bojkotim total të fermerëve shqiptarë”, u shpreh Berisha nga Fieri.