Me një proces në hetim për korrupsion, me SPAK-un që kërkon arrestimin e tij, me dhëndrin në të njëjta kushte dhe me djalin nën hetim, kreu i opozitës ka diçka të qartë: “gjithçka mund të ndodhë gjatë procesit të hapur nga drejtësia”, por ai “nuk do të tërhiqet nga politika”.
“Kam dhënë prova që nuk bëj hap pas. Kam dëshmuar në mënyrën më të qartë se unë hapa pas për të shkelmuar të vërtetën nuk bëj kurrë”, i tha Berisha gazetares Elona Meço gjatë intervistës në emisionin “Pa censurë”.
Dhe ai është i bindur në këtë rrugë të ndjekur, pavarësisht kostos shumë të madhe që po merr familja e tij.
“Kjo nuk është dëshmi e një kokëfortësie, është dëshmi e një përulësie para të vërtetës. Unë besoj se e vërteta duhet mbrojtur në çdo rrethanë dhe në çdo kohë, sepse, pas Zotit, ajo është më e madhe se çdo gjë tjetër”, u përgjigj zoti Berisha, i cili u tregua edhe shumë i hapur se zakonisht, në raport me të ardhmen politike të fëmijëve të tij.
A ka lënë Sali Berisha një trashëgimi politike për Argita Malltezin në PD.
“Argita mund të garojë për çdo gjë, por jo në supet e babait”, u shpreh ish kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve përse ka ndryshuar qëndrim për përfshirjen në politikë të Argitës, vajzës së tij.
Pjesë nga intervista me Sali Berishën:
Elona Meço: Ju kam dëgjuar që keni ndryshuar qëndrim për çështjen e përfshirjes në politikë të vajzës suaj Argita Malltezi. Dikur e keni refuzuar kategorikisht përfshirjen e saj. Sot thoni jo.
Sali Berisha: Të them të vërtetën s’e kam refuzuar kurrë kategorikisht. Nuk mund ta refuzoja ashtu, sepse nuk jam patriarkal në atë mënyrë që t’u them se ju nuk mund të merreni me politikë. Të dy ata, që fëmijë, janë marrë me politikë.
Elona Meço: Po, por e kam fjalën për trashëgiminë politike, për vendin e kryetarit të partisë.
Sali Berisha: Jo. E them sërish. Ata mund të garojnë si gjithë të tjerët, kjo është parti e hapur. Mund të garojnë, siç garon çdo aktivist i partisë, por në supet e babait të tyre kjo nuk mund të ndodhë.
Elona Meço: Çfarë do të thotë kjo?
Sali Berisha: Nuk mund të ndodhë, për shembull, që vajza ime të caktohet të jetë anëtare diku, apo duhet të jetë këtu apo aty. Vajza ime, po të dojë të punojë në strukturat e PD, ta propozojnë dhe e ka rrugën e hapur.
Elona Meço: Kështu thatë dikur edhe për Lulzim Bashën, por nuk ndodhi kështu. E kam fjalën për procesin zgjedhor të 2013-ës, kur ju premtuat se nuk do të mbështesnit asnjë kandidat, por favorizuat Bashën.
Sali Berisha: Absolutisht jam përpjekur të jem sa më i drejtë. U krijuan rrethana, tensione, të cilat unë përpiqesha t’i shkrija për të zhvilluar procesin, por në ato rrethana mendova se partia mund të pësonte një përçarje të madhe, po të mos ruanim disa rregulla. Unë s’kam bërë gjë tjetër, vetëm se kam ruajtur ato rregulla për të cilat palët ranë dakord. Në këtë aspekt, ishte motoja e njërit se “më mbështesin strukturat” dhe motoja e atij tjetrit se “më mbështet anëtarësia”, nuk duhet të garonin në atë formë.
Elona Meço: E kuptoj, por në fakt, kështu ndodhi.
Sali Berisha: Ndodhi, por nuk duhej.
Elona Meço: Pyetja ime kishte lidhje me Argitën. Argita, në dijeninë tuaj, do të kandidojë pas 2025-ës?
Sali Berisha: Argita do të marrë çdo vendim që të dojë, ajo është aktive në politikë çdo ditë, por mos harro se ajo është nënë e katër fëmijëve dhe duhet të bëjë edhe një paqe me ta, duhet të marrë edhe miratimin e tyre, duhet të vendosë dhe vetë, por nga unë s’ka asnjë pengesë. As ajo, as Shkëlzen Berisha nuk kanë asnjë pengesë.
Elona Meço: Shkëlzeni ka deklaruar pak ditë më parë se nuk do të përfshihet në politikë.
Sali Berisha: Atëherë atë rrugë do të ndjekë. I kam respektuar vendimet e tyre, dyert i kanë të hapura.
Elona Meço: Kjo rrugë që keni ndjekur ka pasur një kosto shumë të madhe për familjen tuaj, për bashkëshorten tuaj, për vajzën, për djalin, që siç thuhet është nën hetim. Keni menduar të bëni një hap pas?
Sali Berisha: Kurrë! Unë besoj se kam dhënë prova që nuk bëj hap pas. Kam dëshmuar në mënyrën më të qartë se unë hapa pas për të shkelmuar të vërtetën nuk bëj kurrë. Kam deklaruar, kur u shpalla non-grata se një fakt të vetëm, po gjetën për korrupsionin, largohem përfundimisht nga politika. Se një fakt po gjetën që fëmijët e mi, të kenë përfituar një qindarkë nga fondet publike, unë largohem. Këto të dy kanë qenë zotimet e mia. Fëmijët e mi, në raport me detyrën time, nuk mund të shkelnin ligjin e përcaktuar. Nëse Rea ka fituar me dhjetëra tendera dhe nuk i ka deklaruar njerku i artë asnjë qindarkë, fëmijët e mi nuk kanë fituar kurrë asnjë tender, asnjë projekt me qeverinë dhe Sali Berisha ka deklaruar çdo të ardhur të tyre, siç është ligji i vendit.
Elona Meço: Pra asnjë hap pas, pavarësisht çfarë mund t’ju ndodhë?
Sali Berisha: Kjo nuk është dëshmi e një kokëfortësie, është dëshmi e një përulësie, përulësi para të vërtetës, sepse mund të ketë pasur variante të tjera më interesante në rrafshin personal për mua, por unë qëndroj për atë që besoj dhe unë besoj se e vërteta duhet mbrojtur në çdo rrethanë dhe në çdo kohë, sepse, pas Zotit, ajo është më e madhe se çdo gjë tjetër.
Elona Meço: Zoti Berisha ju falënderoj shumë për intervistën dhe uroj që kjo të mos jetë intervista juaj e fundit nga kjo zyrë, në mënyrë që t’i ushtroni të plota funksionet tuaja si lider i opozitës.
Sali Berisha: Shfrytëzoj rastin që me valët e RTSH-së t’u uroj shqiptarëve një vit të mbarë, plot shëndet, të mira në familjet e tyre dhe Shqipërisë një çlirim sa më të shpejtë nga kjo diktaturë e re që ka asgjësuar pluralizmin politik, që ka asgjësuar opozitën si funksionim dhe po shkreton Shqipërinë më shumë se çdo pushtim tjetër që ajo ka njohur në histori.