Partia Demokratike do të organizojë një protestë ditën e mërkurë përpara ambienteve të SPAK, ditë që përkon dhe me paraqitjen e kreut të partisë, Sali Berisha në ambientet e Strukturës së Posaçme.
“Ditën e mërkurë në ora 12:00 kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP. Të mobilizohemi të gjithë maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narko-drejtësisë”, është mesazhi që ka shkuar në telefonin e demokratëve nga sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.
Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi do të paraqiten në Prokurorinë e Posaçme në orën 14:00 dhe pritet që t’ju komunikohet zyrtarisht akuza për çështjen “Partizani”.
Kreu i Partisë Demokratike prej 8 muajsh ndodhet në arrest shtëpie.
Masa e sigurisë ndaj tij u caktua më 30 dhjetor të vitit të shkuar nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK.
Berisha po hetohet nga SPAK pasi ka dyshime se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi gjatë kohës kur drejtonte qeverinë.
Malltezi është një ndër pronarët e truallit ku shtrihej ish-kompleksi sportiv “Partizani”, hapësirë ku aktualisht janë ndërtuar disa komplekse banimi.