Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndonëse pa përmendur emra, ka reaguar për Sali Berishën, sot i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Nga Dibra, aty ku ishte në një takim me banorët, Basha thotë se “të korruptuarit”, referuar këtu Berishës, duhet të japin llogari para drejtësisë.
“Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realitetit sot në Shqipëri që po detyron shqiptarët të largohen nga vendi. Prandaj sot është jetike t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht. Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve të kthehen në të mira për qytetarët”, shkruan Basha në një postim në rrjetet sociale.
Aktualisht Sali Berisha është nën masën detyrim paraqitje dhe nuk mund të largohet nga vendi. Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Ndërkohë, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta.
Seanca gjyqësore për dhëndrin e tij do të jetë nesër në orën 13:00, e ndërsa nuk ka ende asnjë datë se kur Berisha pritet të dalë para gjykatës.