Kryesore Berisha nën arrest, a do e marrë drejtimin e opozitës? Si përgjigjet...

Berisha nën arrest, a do e marrë drejtimin e opozitës? Si përgjigjet Ilir Meta

Tashmë pa imunitetin e një deputeti, Sali Berisha paralajmëroi një valë protestash që nga Kuvendit, te kryeministria, SPAK e deri te Gjykatat. Nga ana tjetër, Ilir Meta, aleati i tij, ka zbuluar qëndrimin që do të mbajë nga sot e tutje në këtë aksion opozitar. Ai konfirmoi se do të jetë në protestë, por thekson kjo jo për të mbrojtur Berishën, por për rivendosjen e normalitetit në vend.

“Dhe unë dhe drejtues të partisë së Lirisë do jem, përkrahim çdo protestë, jo në mbrojtje të Berishës, por në mbrojtje të demokracisë, kërkesat e opozitës janë një domosdoshmëri, për rivendosjen e normalitetit në vend”, tha ai.

Në ndryshim nga e kaluara, ku është parë shpesh herë në takime krah Sali Berishës, së fundmi këto dalje publike janë rralluar. Meta theksoi se kjo nuk ka ardhur prej frikës së SPAK, pasi thekson se një gjë e tillë nuk ekziston. Ai konfirmoi se ato janë bashkë,

“Ne jemi bashkë, në çështje që është në interes të demokracisë”, përfundoi Meta.

Berisha nën arrest, a do e marrë drejtimin e opozitës?

Me Sali Berishën në arrest shtëpie ose në burg, Ilir Meta nuk e sheh si një mënyrë për të marrë drejtimin e opozitës. Meta u duk i palëkundur për të mos marrë më pushtet në opozitë, nisur edhe nga fakti që Sali Berisha e ka konfirmuar që asnjë masë sigurie nuk do e stepë atë.

Ai tha se kush është në krye të PD-së është një vendim që Gjykata do duhet ta kishte dhënë me kohë, por që e ka zvarritur pas urdhrit të Edi Ramës.

“Përgjegjësitë e PD janë të rëndësishme dhe janë të vendosura nga vota, sa i takon rolit të Berishës, ai e ka bërë të qartë se asnjë masë ndaj tij nuk e ndryshon vendosmërinë e tij për të drejtuar PD, për fuqizimin e PD. Gjykatat duhet ta kishin zgjedhur me kohë larg diktatit të Edi Ramës, është zvarritur vetëm për interesa të Edi Ramës, që kërkon konfuzion në opozitë dhe të godasë opozitën për qëllimet e tij”, tha Meta në konferencën për shtyp nga selia e Partisë së Lirisë.

Njësoj si Berisha, ai hodhi akuza në drejtim të SPAK, duke thënë se vepron me regji të drejtuar nga Edi Rama dhe urdhra të dhëna nga Kongresi i PS-së.

“Porositë janë dhënë dhe jepen nga kongreset e Partisë. Porositë janë publike dhe të qarta. Përpjekja për të krijuar iluzion sikur po goditen të dyja palët, është një regji e Edi Ramës. Edhe sakrifikimet e personave të caktuar, nuk janë gjë tjetër veçse një regji për të vazhduar të gjitha aferat. Përfituesi kryesor në gjithë këtë histori është Edi Rama”, u shpreh Meta.