Gjatë ceremonisë përkujtimore të masakrës së dy prillit në Shkodër, Sali Berisha u shpreh se 14 maji është një ditë e rëndësishme për demokracinë duke nënvizuar se fitorja e demokratëve në bastionin e veriut do të jetë e padiskutueshme.
Po ashtu, ndërsa fliste për gazetarët pas ceremonisë, ai u shpreh i sigurt se Partia Demokratike do të dalë fituese në këto zgjedhje.
“Asgjë në këtë botë nuk e ndalon vrullin e saj, hovin e saj për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë,” deklaroi ai.
Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, Berisha vijoi t’i cilësonte si pengje të “të cilët po i shërbejnë Ramës.”
“Binomi, Basha, Alibasha përbën shëmtirën politike më të madhe në 32 vite. Pengjet më të keqpërdorura në historinë politike të Shqipërisë. Çdo votë për ta është votë për Edi Ramën. Nuk ka diskutim që ata faktojnë që nuk kanë merituar asnjë besim, asnjë mbështetje sepse janë persona që shkelmojnë në radhë të parë mbi veten e tyre. Sillen si pengje pa asnjë lloj vlere.”
Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen dhe të mos harrojnë që “geni i tyre është pluralizmi.”