Kryesore Berisha nga SPAK: Statuset e Veliajt kundër prokurorëve të redaktuara nga Edi...

Berisha nga SPAK: Statuset e Veliajt kundër prokurorëve të redaktuara nga Edi Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në dalje të SPAK ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e akuzoi Ramën si “redaktorin” që, sipas tij, ka manipuluar dhe drejtuar zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimet ndaj drejtësisë të PS-së.

Kreu i demokratëve shprehet se Edi Rama ka redaktuar statuset e kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

“Tani, siç e do dhe transparenca, me të drejtë prisni t’u rrëfej se çfarë gjeta aty brenda, çfarë kishte në sallat dhe korridoret e Skapit të partisë. Sot, aty takova Redaktorin. Redaktori është një person, të cilin mediat e censuruan. Mediat dëshmuan se Erion Veliaj, Lal Vjedhësi, në telefonatat e tij të panumërta, i jepte të vëllait porosi për Mjero Bazen, për Bolinon, për Yzeirin e të tjerë. Por atë që u fshehën mediat ju, ua them unë. Në urdhëresat dhe udhëzimet e tij ishte një shumë e veçantë. Për këtë çështje, thoshte, do pyetet Redaktori. Kjo çështje nuk do dalë pa u pyetur Redaktori. Tani, do thoni ju, cili ishte Redaktori. Redaktori ishte Edi Rama. Dëgjojeni miq se çfarë Jagoje i paskrupullt është. Natën i ndërsente kundër Skapit, ditën sulmonte Etjenin se guxove të sulmonte Skapin. Ndërkohë, statuset e para janë të gjitha të redaktuara nga Redaktori. Po çfarë po bënte Redaktori këtu? Redaktori këtu kishte vënë përpara një telajo dhe qejf e qejf po pikturonte mustaqet e Kujtim Gjuzit. Po, i them unë, çfarë ke ti me këto mustaqe? Ti i ke tuat. Epo këto të miat nuk më mbushin. E vërteta është kjo. Prandaj është i fiksuar. Dhe çdo fjalë e tij çdo mëngjes fillon me mustaqet dhe mbaron pastaj e dini vetë me çfarë… Në fakt në burg e ka vendin. Një audit i gjithanshëm e pret”, u shpreh Berisha.

Ndër të tjera Berisha lexoi edhe mesazhin që i la Altin Dumanit, gjë që tashmë është bërë rutinë e tij sa herë paraqitet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Amnistimi i krimit elektoral nga Dumani dhe Skapi i partisë është krimi antikushtetues dhe antidemokratik më i madh në historinë e pluralizmit politik. Është atentati më i rëndë ndaj zgjedhjeve të lira”, ky është mesazhi që Berisha i ka lënë Dumanit.