Politika Berisha nis turin e “Opozitës në Aksion”: S’ka paqe në Parlament pa...

Berisha nis turin e “Opozitës në Aksion”: S’ka paqe në Parlament pa zbatim të Kushtetutës

“Opozita në Aksion” është slogani i ri i grupit të Rithemelimit, i cili nisi mbrëmjen e së shtunës turin e takimeve me qytetarët.

Nga Durrësi, Sali Berisha deklaroi se sot nis aksioni me të cilin do të kundërshtohet, siç u shpreh ai, diktatura e Edi Ramës.

Bojkotimin e jetës parlamentare, kreu i demokratëve tha se deputetët e kanë nisur për të drejtat dhe votën e qytetarëve teksa shtoi se në Kuvend nuk do të ketë më paqe deri në zbatim të Kushtetutës.

Ka një muaj që ne, deputetët tuaj, për ju, për votën tuaj, për idealet tuaja, kemi filluar protestën, sepse ne, jashtë çdo lloj imagjinate, ky horr i shtetit, nuk na lejon të paraqesim ligje. Ky kriminel nuk na lejon krijimin e komisioneve që Kushtetuta e ka me ligj. Po pse nuk lejon? Sepse e shoqja ka ndërtuar pallatin 5-katësh pa asnjë faturë tatimore, bankare apo tatimore. Zonja e parë, e dytë apo e tretë si quhet tani.

Berisha u ndal dhe te zërat që sugjerojnë që grupimi i tij duhet të dale me një emër të ri.

“Unë do ua them këtu, shumë nga ju mund të keni menduar se ne duhet të zgjedhim emër tjetër. Jo, ne nuk do zgjedhim emër tjetër. Ai emër dhe demokracia e Shqipërisë, ai emër dhe pluralizmi, ai emër dhe shpresa e Shqipërisë, duhet të jetojnë dhe do jetojnë gjithmonë.”

Kreu i Rithemelimit theksoi se largimi nga parlamenti nuk është opsion dhe se “betejën do ta fitojnë për qytetarët.”