Ish-kryeministri Sali Berisha ishte këtë të shtunë në Has, ku në kuadër të fushatës elektorale prezantoi kandidatin për bashkinë e këtij qyteti Miftar Dauti.
Berisha në fjalën e tij kërkoi mbështetjen për kandidatët e primareve dhe njoftoi datën dhe orën e mbylljes së fushatës elektorale.
Berisha tha se mbyllja e fushatës do të bëhet ditën e premte, më 12 maj, ora 19:00, në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.
“Këto ditë janë ditët e finishit. Fitorja po ju pret ju, po pret popullin opozitar në Shqipëri. Le të rendim me shpejtësinë më të madhe drejt saj.
Me datën 12 maj, në ora 7, ftoj banorët e Hasit, Tropojës dhe të gjithë Shqipërisë, të mblidhemi dhe të festojmë fitoren e datës 14 në Tiranë në sheshin Nënë Tereza.
Votoni numrin 1, koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’. Votoni Miftar Dautin, kandidatin e fitores.
I bëj thirrje Beqirit dhe Halitit. Tani, z.Mula, deri tani ka qenë me dy emra. Këto ditë u bëre me dy mbiemri, edhe Mula dhe Mielli. Jep dorëheqjen, mos shko të kërkosh më votë, se je turpëruar me atë që ke bërë! Shko e pyet atë paraardhësin tënd, ai është socialist i vërtet. Është patriot, është hasjan, i cili e denoncon racizmin e Ramës, kurse ty të përdor si vegël. Jep dorëheqjen dhe ti. Mos u bëj mashë e tij, se të jap fjalën se me datën 15, Rexha, ti dhe Safet Gjici do të krijoni partinë e pabesisë”, tha Berisha.